Ekspozita me fotografitë e rralla të Dhimitër Vangjelit sjellë në Prishtinë thesarin e çmuar të Kolonjës

25 Nëntor, 2017 - 2:20 pm

Gili Hoxhaj

Ekspozita “Dhimitër Vangjeli, një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar” mbrëmë solli një udhëtim vizual përmes fotografive që zunë vend brenda Muzeut të Kosovës në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Këto fotografi prekin Kolonjën në gjysmën e parë të shekullit 20-të, ndërsa pamjet që vijnë përmes tyre e dëshmojnë fuqishëm që Dhimitër Vangjeli nuk ishte një fotograf i studios. Studioja e tij ishte natyra dhe jeta e njerëzve. Studioja e tij ishte bota jashtë. Ai me aparatin e tij fotografik ishte ndalur pothuajse në pragun e çdo familjeje në Kolonjë, duke reflektuar jetën e njeriut të varfër dhe të pasur, të riut dhe të vjetrit.

Fotografitë e tij sjellin para syve të shikuesit përditshmërinë e banorëve të Kolonjës e deri tek ngjarjet më të rëndësishme të kësaj zone. Përmbajtjet e fotografive të Vangjelit reflektojnë gëzimin dhe dhimbjen. Në fotografitë e tij janë gdhendur portrete grash dhe burrash ndërsa pasqyrohen përjetimet e tyre në momente të lumtura si martesat dhe pagëzimi e deri tek ceremonitë mortore. Përmes këtij fotografi na kalojnë para syve ritet dhe zakonet kolonjare, veshjet tradicionale dhe moderne. Ndërsa disa nga pamjet dokumentojnë banda muzikore, zanatçinj, portrete të ndryshme popullore dhe bashkëjetesën fetare, shkollat dhe manifestimet me qindra njerëz duke festuar festat kombëtare.

Arti i tij të prekë edhe më fuqishëm kur dihet që puna e Dhimitër Vangjelit nuk bazohej nga një shkollë e fotografisë, por ishte gërvishtja e talentit të tij që sot edhe pas shumë kohësh e paraqet fotografinë në një dimension profesional.

“Mirëserdhët kolonjarë dhe ishte kënaqësi që me ardhjen tuaj këtu na bëtë të zbulojmë edhe një komunitet të kolonjarëve në Kosovë. Aq sa jam gëzuar që Dhimitër Vangjeli erdhi në Muzeun e Kosovës, aq jam gëzuar edhe për kolonjarët të cilët siç duket nuk e kemi ditur që i kemi këtu prezent në Kosovë” ishin disa nga fjalët e Drejtorit të Muzeut të Kosovës – Skënder Boshtrakaj, në hapjen e ekspozitës.

Silva Breshani nga Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, ekspozitën e mbrëmshme e cilësoi shumë më tepër se një protokoll ndërministror ndërsa theksoi se puna e Dhimitër Vangjelit është një thesar i çmueshëm për identitetin dhe kulturën tonë.

“Kjo ekspozitë a nisur si një histori para dy viteve ku edhe filloi pjesa e dokumentimit ndërsa ky takim është edhe një amanet ndaj një mikut tim që më nuk jeton, ish-kryetarit të bashkisë, Arben Malo i cili na krijoi mundësinë e parë për të shpëtuar këto thesare. Kjo ekspozitë më shumë se sa një aktivitet është një thirrje për ndërgjegjësim, e kemi titulluar “Dhimitër Vangjeli një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar” sepse nuk është thjesht puna jonë vetëm të dokumentojmë por që nëse dokumentojmë atë që na është trashëguar do të thotë që kemi shpëtuar jo vetëm historinë por edhe atë që na përfaqëson identitetin, kulturën dhe trashëgiminë”, tha mes të tjerash Silva Breshani.
Para dokumentimit të këtyre fotografive, emri i Dhimtër Vangjelit ishte shndërruar në një legjendë urbane, pasi fotografitë e tij gjithnjë ishin botuar duke e mohuar autorësinë e tij.

Fondi i negativëve i ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marrë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit, por asnjëherë nuk u regjistrua si fond në inventarët e muzeut apo bashkisë. Ky fond për shumë kohë kishte qenë i rrezikuar nga pluhuri i harresës pasi që ndodhej në një arkë të vjetër armatimesh, që askush nuk e kishte guxim ta hapte. Breshani mes të tjerash mbrëmë rrëfeu edhe për historinë në të cilën kishte kaluar ky fond për të dalë në dritë para publikut.

“Kur e kemi zbuluar këtë koleksion, ishte në një arkë armatimesh dhe shumëkush na thoshte mos e hapni se do të shpërthej dhe do të shpërtheni edhe ju bashkë me muzeun. Kur e hapëm arkën ajo çfarë na emocionoi është se i pamë fotografitë tek flinin që ndoshta myku i kohës i kishte lënë aty të ruheshin dhe të zbeheshin pak”, tregoi përplot emocion Silva Breshani.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha për KultPlus se këtë ekspozitë e cilëson si disa herë të rëndësishme për Muzeun e Kosovës, ndërsa shton se ky është edhe një shembull se si duhet të mbrohet trashëgimia kulturore.

Fotografitë e vendosura mbrëmë në Muzeun e Kosovës sollën jetën dhe traditën e kolonjarëve para një shekulli, kurse kolonjarët e Shqipërisë mbrëmë këtë traditë e bartnin edhe përmes veshjeve e sofrës kolonjare që e kishin sjellë me vete, me ushqime të lehta, raki rrushi dhe manaferre. Kolonjarët e Kosovës së bashku me ata të Shqipërisë e përmbyllën këtë mbrëmje të bashkuar në mes të ekspozitës ku dhuruan këngë nga shpirti e dashuri për njëri-tjetrin.

Për të gjithë ata që duan të njihen me jetën e banorëve të Kolonjës dhe punën e fotografit të madh Dhimitër Vangjeli, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor, në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme