Ekspozita “Kthim” synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit

8 Dhjetor, 2022 - 1:39 pm

Më 12 dhjetor me fillim nga ora 18:00 në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës do të mbahet ekspozita me titullin “rETurN” apo “Kthim”, shkruan KultPlus.

Kuratore dhe ideatorë e këtij projekti është Majlinda Kelmendi, e cila thotë se ky projekt sjell risi në jetën artistike, duke ju dhënë mundësi artistëve të rinj që të promovohen, të krijojnë parteritete, rrjedhimisht të ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe avancimit të skenës së artit.

“Nëpërmjet ketij aktiviteti artistik kontribojmë për të shtuar shpresën tek artistet e rinj”, shprehet Kelmendi për KultPlus.

Ky projekt, sipas Kelmendit, do të jetë një fillim për krijuesit e rinj, të cilët do të duan të zhvillojnë vlerat e tyre krijuese në të ardhmen.

“Në këtë projekt artistik zhvillojmë tema të ndryshme dhe me këtë aktivitet të krijojmë një atmosferë miqësore, ku nëpërmjet veprave artistike të ekspozuara, kontaktit me publikun artëdashes do të rindërtojë vetëbesimin.  Ky projekt tenton të ofrojë hapësirë për iniciativa të ngjashme, për t’iu prezantuar dhe për të zgjuar interes, debate, dialog ndërnjerëzor që tejkalon kufijtë personal”, thotë ajo.

Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëteve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë.

“Ideja jonë është që kjo ekspozitë të shërbejë si një shprehje e artit konceptual në vend. Mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimsi”, shton tutje piktorja.

20 artistë janë të përfaqësuar në ekspozitë, në shumë mënyra dhe kjo ekspozitë mund të shihet si një punë në zhvillim.

“Të gjithë artistët pjesëmarrës kanë një marrëdhënie intensive dhe krijuese me botën e brendshme që krijon ëndrra. Kjo nuk do të thotë se ata qëndrojnë gjithmonë aty. Por ata kanë akses në të, lëvizin përtej kufirit, rishfaqen, zhduken, kthehen. Kjo botë e brendshme është për ta një pjesë e patjetërsueshme e impulsit krijues”, përfundon Kelmendi.

Ndërkaq, artistet pjesmarrës: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj, Rinor Dauti.

Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës Drejtoria për Kulturë. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme