Ekspozita me veprat e Picassos, shënon rekord në Kinë

6 Korrik, 2019 - 12:30 pm

“Picasso – lindja e gjeniut”, ekspozita e organizuar në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Pekin, thuhet se ka thyer të paktën një rekord.

Sipas muzeut që ka organizuar ekspozitën, deri më 1 korrik, 134 mijë njerëz e kanë vizituar atë. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 1 shtator. Kjo do të thotë se mesatarisht 8,930 njerëz kanë marrë pjesë çdo ditë, qëkur u hap më 15 qershor.

“Rekordin e shënuam që në hapje, kur erdhën 12,268 vizitorë. Ndërkaq, më 23 qershor ky numër u dyfishua”, thonë nga muzeu. “E kemi menaxhuar si duhet rrjedhën e mysafirëve për të siguruar përvojën më të mirë të mundshme. Jemi të sigurt se ky rekord do të thyhet”.

Ekspozita ka 103 vepra të marra nga Muzeu Kombëtar i Picassos në Paris dhe hulumton tri dekadat e para të karrierës së artistit. Mendohet se kjo është ekspozita më e madhe e Picassos e organizuar ndonjëherë në Kinë, ndërsa shtypi e ka cilësuar si shenjë e një marrëdhënieve të reja ndërshtetërore. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë në një deklaratë: “Kemi vendosur që viti 2021 të jetë viti i turizmit kulturor midis dy vendeve tona, ndaj duhet të them se nuk janë rastësi të gjitha këto nisma të ndërmarra së bashku në muajt e fundit”.

Brenda 15 ditëve, ekspozita e Picassos solli një të tretën e vizitorëve në ekspozitën më të popullarizuar të vitit 2018, retrospektivën e artistit Xu Bing që u pa nga 365,506 njerëz përgjatë tre muajve. Kjo ishte një ndër 50 ekspozitat më të mëdha në botë gjatë vitit të kaluar. /Telegrafi/

Të fundit

Të ngjajshme