Ekspozita “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë”, në kujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë

3 Maj, 2019 - 6:41 pm

Më 13 maj bëhet hapja e ekspozitës “Na ishte një herë që kurrë mos qoftë” kuruar nga Blerta Hoçia, në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë si pasojë e luftës në Kosovë 1998-2000 , shkruan KultPlus.

1024 fëmijë të vrarë dhe 109 fëmijë të zhdukur.

Na ishte njëherë është fillimi i natyrshëm i çdo përralle. Në këtë rast, është fillimi i rrëfimit të luftës. Nën shikimin naiv të fëmijëve na çelet një botë që nuk duhet t’i përkasë reales, ashtu si përralla.
Një dhomë xhami brenda hapësirës përmban të gjithë peshën e objekteve.
Për të na kujtuar që kjo ekspozitë të shihet nga këndvështrimi i fëmijëve, këto objekte qëndrojnë pezull si në përrallë, si të përgjumura brenda kutisë së xhamtë. Një përgjumje në dukje e këtyre objekteve të lëna në errësirën e pandërgjegjies që e zgjon kujtesën personale dhe kolektive nga nevoja për të harruar vazhdimisht. Këto objekte dhe veshje këtu brenda rreshtin së qeni objekte dhe veshje. Ato shndërrohen në rrëfime personale që përcjellin praninë e vetë fëmijëve. Një prani kjo e një dimensioni tjetër, përzier me plumba dhe përralla e që kriset befshëm ashtu si xhami që i përmban duke bartur mbi vete të gjithë simbolikën e tij.

Kjo ekspozitë vjen si një ftesë për përballje dhe për reflektim, për dialog dhe shërim, duke nisur ndërtimin e një kujtese kolektive me anë të këtyre sendeve dhe të tjerave që do të shtohen në të ardhmen.

Objektet, që iu përkisnin fëmijëve, na kujtojnë përditshmërinë, jetën monotone, gjërat e vogla të çmuara që nuk i vëmë re gjithmonë. Disa prej tyre na rrëfejnë për një lojë që e heshtur vazhdon akoma.

Ndoshta një lojë që e shoqëroi bashkëjetesën me luftën dhe vazhdon të reflektohet te të gjitha sendet e mbetura që përcjell shikimin e butë të fëmijëve i cili shëron dhe çliron rreze shprese duke e bërë kujtimin e tyre të përjetshëm.

Më shumë se sa një ekspozitë, ky është një memorial dedikuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur në luftë. Pse bëhen memorialët dhe pse ruhen rrënojat e pasojave të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut?

Nuk janë vetëm për t’i kujtuar dhe nderuar viktimat dhe të mbijetuarit, por edhe për të kërkuar të vërtetën. Në kërkimin e kësaj të vërtete është plotësisht i angazhuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe për krijimin e këtij memoriali është folur me prindërit e familjarët e viktimave dhe kjo ekspozitë shpreh dëshirën e tyre për t’i kujtuar ata me gjësendet e vetme të mbetura të një fëmijërie të ndërprerë.


Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut. Të gjitha aktivitetet e FDHK janë në fushën e Drejtësisë Tranzicionale dhe kontribuojnë në arritjen e drejtësisë për viktimat, në vendosjen e narracionit të saktë mbi luftën, përkrahjen e viktimave në realizimin e të drejtës së tyre në reparacione dhe në edukimin e të rinjve mbi Drejtësinë Tranzicionale. Së fundi, FDHK kontribuon edhe në memorializimin e viktimave të luftës.

Ekspozita realizohet nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë dhe mbështetët nga National Endowment for Democracy (NED), Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Hapja e ekspozitës: E hënë, 13 maj 2019, në ora 18:00 në Documentation Center Kosovo./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/1077841649082209/

Të fundit

Të ngjajshme