Ekspozita “Rënia e një diktatori” në sheshin “Skënderbej”

20 Shkurt, 2021 - 5:27 pm

Me rastin e 30-vjetorin të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha u çel këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej” ekspozita “Rënia e një diktatori”.

Ambasadori I Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf i pranishëm në aktivitetin në kuadër të “Ditëve të Kujtesës “ të IDMC dhe Konrad Adenauer-Stiftung Albanien nxiti vazhdimin dhe intensifikimin e punës përkujtimore ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.

“Viktimat e diktaturës kanë të drejtën të mbahen mend. Është e rëndësishme të kujtojmë historinë e secilit dhe të ruajmë vendet e ngjarjes si vende përkujtimore. Një kulturë aktive e përkujtimit është gjithashtu e rëndësishme, në veçanti për të sensibilizuar të rinjtë për faktin se paqja, pluralizmi demokratik, toleranca dhe pranimi nuk janë dhe nuk kanë qenë marrë si të mirëqena në historinë e Europës”, tha Zingraf.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, u shpreh se  “këto aktivitete janë mënyra se si ne duhet të dialogojmë pa nevojën e fillimit të gjuetisë shtrigave që merret me emra individësh apo grupimesh. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e ka deklasifikuar tërësisht dokumentacionin që ka të bëjë me periudhën komuniste, me përjashtim të shumë pak që përbëjnë ende ‘sekret shtetëror’ dhe kjo që të kuptojmë se si është ndërtuar diktatura deri në grahmat e fundit”.

Në takim mori pjesë edhe Çelo Hoxha, Drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili kujtoi lëvizjen e 30 viteve më parë, ndërsa theksoi se rrezimi i shtatores pati efekt psikologjik.

“Duhet të kishim disa dokumente që të na shpjegonin më tepër atë që Byroja Politike po mendonte pas vdekjes së diktatorit, se çfarë do bëhej më tej. Por këto dokumente ende mbajnë siglen ‘sekret’, ndaj i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të deklasifikohen dhe historia të shkruhet dhe të analizohet siç ka qenë. Pas vdekjes së diktatorit në një mbledhje në prani të Nexhmije Hoxhes, u propozua që Tiranës t’i vihet emri Enver Hoxha, propozim që u duartrokit nga të gjithë”, tha drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole.

Erblin Vukaj që ka punuar me ekspozitën, tha në ceremoni se “ndonëse në publik  është folur për forcat e rendit që ato ditë ishin më të zbutura, ende nuk dihet se çfarë diskutohej në mbledhje dhe çfarë urdhrash qarkullonin, pasi disa prej urdhrave janë ‘sekret shtetëror’. Ende nuk dihet qartë se çfarë diskutonte pushteti në ditët e levizjeve”. /ata/ KultPlus.com

Të ngjajshme