Ekspozitë artistike në Prishtinë në nder të 115-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës

26 Gusht, 2025 - 3:05 pm

Në kuadër të shënimit të 115-vjetorit të lindjes së shenjtores shqiptare, Nënë Tereza, në sheshin që mban emrin e saj në Prishtinë është hapur një ekspozitë artistike që bashkon mbi 30 artistë nga rajoni.

Kjo ngjarje kulturore është organizuar nga organizata “Artistë për Artistë” në bashkëpunim me organizatën “Shqiptaria”, duke sjellë një atmosferë reflektimi dhe nderimi për figurën e humanistes së njohur botërisht.

Ekspozita ka mbledhur artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë kontribuar me vepra të ndryshme artistike. Ndonëse ngjarja është organizuar për nder të Nënës Terezë, tematika e ekspozitës ka qenë e lirë, duke u lënë hapësirë krijuesve të shprehin lirshëm idetë e tyre.

Kryetari i organizatës “Artistë për Artistë”, Veton Gucia theksoi rëndësinë e figurës së Nënës Terezë për shqiptarët, veçanërisht në periudhën e paraluftës në Kosovë.

Ai kujtoi se fotografia e saj ka qenë një simbol që ka hapur dyert e botës për shqiptarët dhe se kujtimi i saj duhet të shërbejë si mësim për brezat e rinj.

Gucia tha se në këtë ekspozitë po marrin pjesë mbi 30 artisë nga Kosova dhe rajoni përmes veprave të tyre.

“Është një figurë e cila neve na ka gëzuar shumë sidomos në periudhën e paraluftës kur me fotografi të saj, na janë hapur dyert në krejt botën. Rëndësia e saj si figurë ka qenë jashtëzakonisht e madhe…Mendoj që kujtesa është e rëndësishme për edukimin e gjeneratave të reja që të dinë sa ka qenë e rëndësishme dhe sa është e rëndësishme figura e saj për identitetin dhe lirinë e Kosovës. Ne vetëm e kujtojmë. Pjesëmarrja e artistëve është gjithëpërfshirëse. Ka artistë nga Maqedonia, nga Mali i Zi, Shqipëria, nga Lugina e Preshevës, Bujanoci, edhe nga Kosova normal. Në këtë rast është tema e lirë, si çdo vit. Ne vetëm e shënojmë, përkujtojmë ditëlindjen e Nënës Terezë dhe figurën e saj, përndryshe tema është e lirë. Ka piktura me tematikë të lirë. Pritet të marrin pjesë mbi 30 artistë që marrin pjesë”, tha Gucia.

Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë u lind më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4.500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme