Ekspozitë e vëllezërve Manaki në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”

15 Korrik, 2023 - 10:00 am

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit, do të prezantojë ekspozitën e vëllezërve Janaki Manaki (1878-1954) e Milton Manaki (1880-1964), kuruar nga Dr. Luçjan Bedeni.

Koleksioni i tyre i ruajtur në Arkivin Historik të Manastirit, përmban 6702 negativë në xham, 2087 plan film dhe 1071 film rul, 7041 stampime fotografike, 3867 dokumente dhe 49 kamera dhe materiale të tjera ndërsa në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut ruhen një sërë filmash që ata realizuan me ‘Kamera 300’, prej së cilës njihen edhe si themelues të kinematografisë në Maqedoninë e Veriut.

Ekspozita i kushton një vëmendje e veçantë popullatave lëvizëse, përafërsive etnografike dhe ritualeve të ngjashme të popujve të Ballkanit, të cilët i gjejmë të pasqyruar në rrugëtimet e Manakëve në rajon.

Ky aktivitet është një nga stacionet e sezonit veror “KultArt” 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe i realizuar në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Departamenti i Manastirit.

Ekspozita do të hapet më 21 korrik në ora 20:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme