7 Maj, 2025 - 9:31 pm
Flonja Haxhaj
Në mbrëmjen e 6 majit, Galeria ‘Qahili’ hapi dyert për të festuar 12-vjetorin e themelimit të saj, duke ofruar një mbrëmje të pasur me art, emocion dhe frymëzim. Që nga ora 17:00, vizitorët u mirëpritën në një atmosferë festive me ekspozitë, muzikë dhe koktej, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e kësaj galerie që ka qenë për më shumë se një dekadë një pikë referimi për artin bashkëkohor në kryeqytet, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje të veçantë, organizatorët kanë përzgjedhur për temë ‘Tokën’, një koncept që përshkoi çdo element të ekspozitës si një reflektim mbi lidhjen tonë me natyrën, trupin dhe shpirtin.
Koleksioni i ekspozuar për këtë rast përfaqësonte një retrospektivë të veprave të artistit Eshref Qahili, i cili bashkë me familjen e tij, themeluan këtë galeri. Kjo ekspozitë, përfshinte vepra të cikleve të ndryshme dhe që transmetonin një udhëtim me ngjyra, krijimtari dhe përkushtim ndaj promovimit të artit që ndërlidhet me shpresën, natyrën dhe ngjarjet pozitive.
Në kuadër të kësaj mbrëmjeje festive, Galeria Qahili prezantoi për herë të parë edhe një pjesë të re të hapësirës së saj – tarracën, e cila do të shërbejë si skenë alternative për aktivitete artistike gjatë muajve të verës. Kjo hapësirë e hapur, e konceptuar si një pjesë e re e galerisë, synon të krijojë një përjetim të ri , ku arti takohet me hapësirën me qiell të hapur.
Gjithashtu, kjo mbrëmje erdhi edhe si një një pikëtakim frymëzues për artdashësit e kryeqytetit.Të pranishmit zunë çdo cep në hapësirën e brendshme dhe të jashtme të galerisë, për të diskutuar e reflektuar mbi rolin e artit në jetën e përditshme dhe për të shkëmbyer ide mbi drejtimet e reja të krijimtarisë. Ky dimension e ktheu galerinë në një hapësirë dialogu, ku arti u jetësua edhe në fjalë, diskutim dhe takime të rastësishme që lidhin komunitetin artistik.
Në këtë përvjetor, artisti Eshref Qahili, njëherësh edhe themeluesi dhe nismëtari i Galerisë Qahili, foli për KultPlus duke rikujtuar momentin e hapjes së galerisë, lidhjen e saj me ciklet natyrore dhe shpirtërore të kohës, si dhe qëllimin për ta kthyer këtë hapësirë në një vend që ringjall artin dhe shpresën.
“Kur fillimisht është bërë hapja e galerisë, e kemi menduar datën e hapjes dhe kemi vendosur që pikërisht ta hapim më 6 maj, duke llogaritur që kjo datë është dita e verës, nisur nga e kaluara që ka pasë dimër dhe verë, Shën Gjergji dhe Shën Mitri, prandaj kam vendosur që të jetë pikërisht hapja e kësaj galerie si një ringjallje apo rilindje që edhe simbolizon dita e verës. Sot shënojmë 12-vjetorin që kur funksionon kjo galeri, dhe përgjatë këtyre viteve kemi pasur diku rreth 100 aktivitete dhe me shumë artistë që kanë gravuar punimet e tyre në këto ambiente. Unë i përzgjodha që të prezantoj sot disa punime të disa cikleve, të viteve të ndryshme, që prezantojnë një humanizëm, një shpresë, një ngjarje në kuptimin pozitiv, si një mishërim i pikërisht kësaj dite”, shprehet Qahili më tutje, suke shtuar se ka besim se kjo galeri me gjithë veprimtarinë e saj do të ketë një rrugëtim shumë të gjatë.
Në hapje të mbrëmjes, për KultPlus foli edhe koordinatorja e Galerisë Qahili, Nita Qahili, e cila ndau reflektime mbi rrugëtimin dymbëdhjetëvjeçar të galerisë, sfidat dhe arritjet përgjatë këtij udhëtimi, duke vënë theksin edhe te rëndësia e zgjerimit të hapësirës dhe roli i saj si vendtakim për komunitetin artistik.
“Sot po hymë në vitin e 12-të të funksionimit të Galerisë ‘Qahili’, dhe përgjatë këtyre viteve ka qenë një rrugëtim shumë i veçantë si me të luhatura të ndryshme, të mira e më pak të mira, që pak a shumë reflektohet në gjithë atë që kemi arritur të bëjmë deri sot, pa marrë parasysh sfidat. Nuk është vit i zakonshëm apo jubilar, mirëpo sot për ne është e veçantë sepse prezantojmë edhe pjesën e dytë, terasën e galerisë që është një galeri e hapur, e cila mund të shfrytëzohet gjatë veres për aktivitete të ndryshme”, është shprehur Qahili, e cila më tutje shtoi se veçse si një ngjarje manifestimi, ky event të shërbejë edhe si një takim të njerëzve që diskutojnë rreth artit.
Ndërkaq, ju kujtojmë se galeria ‘Qahili’ është hapur me 6 maj të vitit 2013. E krijuar si një galeri dedikuar artit dhe krijuesve, përgjatë këtyre viteve ‘Qahili’ ka qenë një pikë referimi për shumë artistë, duke pasuruar jetën kulturore në vend./KultPlus.com