Elza Zymberi prezantohet me ekspozitë personale

24 Shkurt, 2019 - 3:30 pm

 Në shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër të Gjilanit, është hapur ekspozita personale e Elza Zymberit, nxënëse e klasës së nëntë të kësaj shkolle. Mbi 80 punime të ndryshme të ekspozuara në këtë ekspozitë, të bëra nga dora e kësaj filloristeje të talentuar kanë zgjuar kureshtjen e dashamirëve të artit, të cilët kanë vlerësuar, se nëse kjo nxënëse të orientohet në këtë fushë, në shkollimin e mëtutjeshëm.

I pranishëm në këtë ekspozitë, ishte edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Gjilan, Nazim Gagica i cila ka thënë se ndihet i kënaqur që po merr pjesë në një ekspozitë të tillë të një nxënëse e cila po e shpalosë talentin e saj dhe DKA-ja do të mbështetë përherë ngjarje të tilla.

Në shenjë mirënjohje, në emër të DKA-së, Gagica i ka dhënë një mirënjohje piktores së re, Elza Zymberit me dëshirën që ajo të bëhet një piktore me emër me të cilën do të krenohet kjo anë dhe Gjilani.

Drejtori i shkollës Rrahman Agushi, duke vlerësuar lartë praninë e artdashësve në këtë ekspozitë, ka thënë se për shkollën është shumë e rëndësishme kjo ngjarje kulturore.

Vet autorja e punimeve të ekspozuara, Elza Zymberi është shprehur e lumtur që iu është jetësuar dëshira e saj për të ekspozuar punën që ka bërë deri më tani në këtë drejtim.

Duke falënderua të gjithë të pranishmit që e nderuan me pjesëmarrje ajo ka veçuar drejtorin e DKA-së, Nazim Gagicën, arsimtarin e saj, Valdrin Bajramin, drejtues të shkollës, por edhe mysafirë nga shkolla e artit pamor e të tjerë, si: Rasim Vllasaliu, Gëzim Brestovci, Magbule Xhemaili e të tjerë,  për inkurajimin dhe përkrahjen që po ia bëjnë asaj.

Më këtë rast, ajo ka dhuruar një pikturë, me portretin e heroit Agim Ramadani, për arsimtarin Valdrin Bajramin,  në shenjë nderimi për përkrahjen e vazhdueshme profesionale.

Përndryshe,  ekspozita me punimet personale të Elza Zymberit do të qëndrojë e hapur për një javë ditë, që nxënësit dhe të interesuarit të tjerë të mund ta vizitojnë, për ta parë nga afër talentin dhe kreativitetin e kësaj nxënëse e cila synon rrugëtimin e saj në këtë fushë. /Gjilani.Info/ KultPlus.com

Të ngjajshme