Përmes 13 veprave, Sadiku hapi ekspozitën personale: Shpresoj që pikturat e mia të ngjallin kënaqësi sa herë që i shikoni

18 Dhjetor, 2021 - 12:54 pm

Uranik Emini

KultPlus Caffe Gallery hapi ekspozitën personale të artistes Mihrije Sadiku në mbrëmjen e 17 dhjetorit, me ç ‘rast u prezantuan 13 piktura të saj të punuara gjatë dy viteve të fundit.

Artistja Mihrije Sadiku po priste që pikturat e saj të “lëshonin zë” përpara publikut që ishin mbledhur për të përcjellur me padurim hapjen e kësaj ekspozite, kjo pasi ajo beson se “piktura vlen 1000 fjalë”.

Të pranishëm në këtë mbrëmjë, ishin familjarët dhe miqtë e Mihrijes, e gjithashtu edhe adhurues të artit, të cilët vlerësojnë se arti është mënyra e vetme për të ikur, pa u larguar nga shtëpia.

Fillimisht, Liridona Spahiu nga KultPlus, bëri edhe hapjen e kësaj ekspozite përmes një prezantimi të shkurtër mbi veprat e artistes dhe një mini-biografie për të.

“Mihrija na vjen në Prishtinë pas disa ekspozitave të mbajtura në Evropë, sikurse në Gjermani, Zvicër e Suedi. Veprat e Mihrijes janë të punuara me teknikën akril në pëlhurë”, tha fillimisht ajo.

No description available.

Spahiu dha edhe detaje të tjera të cilat karakterizojnë një ekspozitë personale.

“Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për 2 javë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, gjithashtu veprat e autores në fjalë mund edhe të blihen pasi është një ekspozitë shitëse”, përfundoi ajo, duke ftuar artisten për një fjalë rasti.

E me shumë ngazëllim, autorja Mihrije Sadiku, falënderoi të gjithë të pranishmit që ishin aty, duke i uruar mirëseardhje.

”Nuk do të doja të shtoja më shumë përveç se të ju uroj të gjithëve një mirëseardhje këtu”, u shpreh Sadiku.

Edhe pse autorja në fjalë ka krijuar e përjetuar eksperienca të ndryshme ndër vite nëpër vende të ndryshme të Evropës, përkundër kësaj, ekspozitat në Prishtinë janë të veçanta për të.

“Kjo realisht është ekspozita ime e 10-të personale dhe ndjehem më ndryshe çdo herë kur bëjë prezantimin e ekspozitave në Prishtinë”, shtoi ajo.

Krijimi i veprave të artit ka në vetë shpenzime të rënda, logjistikë të komplikuar dhe duke mos harruar asnjëherë edhe kohën, si një përbërës kyç të përfshirë në krijimin e një ekspozite, nga konceptimi deri në hapjen e saj.

Si përbërës kryesor, koha duke u bërë bashkë ndër vite me eksperiencën, mundësojnë që konceptimin dhe krijimin e veprave artistike, ta lehtësojnë deri në një masë.

13 pikturat do të jenë të ekspozuar për dy javë në KultPlus Caffe Gallery. Të gjitha punimet janë në shitje dhe të gjithë të interesuarit mund të kontaktojnë me autoren. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme