Flaka Haliti në bashkëbisedim me kuratoren Leonie Radine

28 Qershor, 2019 - 3:08 pm


Qendra Multimedia organizon bashkëbisedim mes artistes kosovare Flaka Haliti dhe kuratores gjermane Leonie Radine.

Ky bashkëbisedim do të shënojë përmbylljen e takimeve ballë-për-ballë të dy artisteve me artistë të rinj vendorë në Kosovë, në të cilat ata kanë pasur mundësinë të marrin këshilla për projektet e tyre artistike.

Në këtë bashkëbisedim, dy artistet do të flasin për artin bashkëkohor në përgjithësi si dhe për bashkëpunimet e tyre të mëparshme dhe ato në të cilat janë duke punuar aktualisht.

Bashkëpunimi i dyshes ka filluar në vitin 2018 me ekspozitën “KËTU – APO ATJE, ËSHTË MË ATJE” të Halitit në Galerinë Kombëtare të Tiranës, dhe vazhdon me ekspozitën e ardhshme “KËTU DHE TANII” në Muzeun e Ludwig: Transcorporealities në Kolonjë.

Në punët e saj, Haliti përzien estetikën me objekte të ndryshme të përditshmërisë, në mënyrë që të eksplorojë horizonte, agjenci të mundshme dhe figuracione alternative përtej kufijve strukturorë dhe politikë, koncepte të thjeshta të përkatësisë dhe projeksione që lidhen me identitetin. Praktika e saj ndërdisciplinare kërkon për diversitetdhe lëvizje të pozitës së çfarëdo objekti si dhe ndërvarësive brenda për brenda një rrjeti kompleks të marrëdhënieve të pushtetit.

Ky bashkëbisedim do të mbahet të shtunën më 29 qershor, me fillim nga ora 18:00.  / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme