Flaka Haliti përballë Adela Demetjas për artin

2 Nëntor, 2018 - 6:00 pm

Galeria Kombëtare e Arteve ka kënaqësinë t’ju ftojë në një bashkëbisedim të hapur për publikun mes kuratores Adela Demetja dhe artistes Flaka Haliti të hënën, datë 26 nëntor 2018, ora 18:30.

Ky bashkëbisedim zhvillohet krahas ekspozitës “Këtu – Apo Atje Është Më Atje” dhe ka si qëllim njohjen e praktikës artistike të Flaka Halitit dhe veprave të saj të shfaqura në këtë ekspozitë.

Flaka Haliti (lindur më 1982 në Prishtinë, Kosovë, punon në Mynih) përfaqësoi vendin e saj Kosovën në Bienalen e Venecias në vitin 2015. Ajo përfundoi studimet në Kolegjin e Arteve të Bukura, Städelschule në Frankfurt am Main dhe ka prezantuar punën e saj artistike në ekspozita vetjake në mumok-Muzeu Modern Kunst në Vjenë, në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Prishtinë, Stacion-Qendra për Artin Bashkëkohor, Prishtinë, S.A.L.T.S Kunstverein Birsfelden, Kunsthalle Lingen dhe Kunsthaus Hamburg. Haliti ka marrë pjesë në disa ekspozita në grup në Muzeun Lenbachhaus, Mynih, Bienalen Busan, Muzeun Ludwig në Budapest, Salzburg Kunstverein, Kunsthalle Wien, Bienalen e 6-të të Moskës, HOME CORNERHOUSE Mançester, dhe Muzeun Botëror të Kulturës në Frankfurt am Main. Ajo ishte fituese e “Çmimit Vila Romana në 2017”, marrëse e “Çmimit Ars Viva 2016”, si dhe fituese e “Bursës Henkel Art 2014”. Pas studimeve të saj në Städelschule në Frankfurt am Main, Gjermani, puna e saj ka eksploruar atë që është ndërmjet dhe që shkon përtej nocioneve të thjeshta që i mvishen përkatësisë dhe identitetit. Haliti është aktualisht duke punuar drejt doktoraturës së saj në “Praktikë” pranë Akademisë së Arteve të Bukura, Vjenë.

Adela Demetja është një kuratore dhe autore (lindur më 1984 në Tiranë, Shqipëri). Ajo ka një master në “Studime kuratoriale dhe kritike” nga Universiteti Goethe dhe Städelschule, Frankfurt/Main, Gjermani. Demetja fillimisht e ka nisur karrierën si artiste, dhe ka studiuar nga viti 2002 deri në vitin 2006 pranë Akademisë së Arteve në Tiranë. Ajo drejton Tirana Art Lab-Qendër për Artin Bashkëkohor, një institucion i pavarur arti të cilin ajo e themeloi në vitin 2010. Si kuratore e pavarur ajo ka organizuar, menaxhuar dhe kuruar një numër ekspozitash ndërkombëtare dhe ngjarje në shtete të ndryshme të Evropës. Në vitin 2016 ajo u emërua kuratore e “Focus: Ex-Yugoslavia and Albania” pranë panairit ndërkombëtar të artit “viennacontemporary” në Vjenë, Austri. Në 2015, ajo ka bashkëkuruar edicionin e tretë të “International Contemporary Project Biennale D-0 Ark Underground” që u zhvillua në strehimin anti-atom të ndërtuar nga Tito në Konjic (Bosnja dhe Hercegovina). Ekspozita të tjera tematike të kuruara nga Adela përfshijnë: “The aesthetic of the small act”, Festivali “Action Field Kodra” në Selanik, Greqi, “Voices of Truth” Vila Romana në Firence, Itali. Si autore ajo ka shkruar komente për ekspozita, tekste për katalog dhe artikuj për platforma të ndryshme online, të publikuara në Shqipëri dhe Evropë./KultPlus.com

Të ngjajshme