Fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durhami nëpër viset shqiptare, shpalosen në një ekspozitë

20 Nëntor, 2019 - 1:30 pm

Muzeu Historik Kombëtar hapi sot ekspozitën “Miss Mary Edith Durham” me rastin e 75-vjetorit të vdekjes së “Mbretëreshës së Maleve” Mary Edith Durham (1863-1944), artiste, shkrimtare e shquar britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antroplogjike rreth jetës së Shqipërisë në fund të shek. XIX dhe fillim shekullit XX.

Ekspozita përmban fotografi dhe skica të realizuara nga Edith Durhami gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare.

Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi u shpreh se kjo ekspozitë me fotografi nderon figurën Edith Durham. Ai u ndal në veçanti në rolin dhe kontributin e çmuar të Edith Durham në çështjen shqiptare dhe veprimtarinë e saj të dendur në Shqipëri, ku ajo ndërmori rreth 7 udhëtime në vendin tonë duke lënë pas një histori të tërë në pasqyrimin e jetës se shqiptarëve dhe rolit të tyre në rajonin e Ballkanit dhe kjo ekspozitë është një pasqyrë e qartë e kontributit të Miss Edith Durham si një pjesë e pandashme e historisë moderne të kombit shqiptar.

“Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, sepse ajo nga dita që shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti e vlerat e shqiptarëve. Ajo u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse ne e konsiderojmë atë si bijën tonë dhe i dhamë titullin e lartë “Mbretëresha e Maleve”. Edith Durham është pjesë e historisë së Shqipërisë”, përfundoi drejtori Koçi.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 nëntor. / KultPlus.com

Të ngjajshme