Fotografi shqiptar pjesë e ekspozitës së Jimmy Nelson në Holandë

11 Tetor, 2019 - 2:00 pm

Jeta Zymberi

Lufta e fundit në Kosovë ka bërë që shumë familje shqiptare të mbesin jashtë Kosovës. Të detyruar të largohen nga pushtimi serb, ato familje krijuan një jetë të re në vende të ndryshme të botës. Një prej këtyre është edhe familja Zymeraj nga Gjakova. Rrugët i drejtuan drejt Holandës ku edhe sot jetojnë. E vështirë edhe sot të jesh i pranuar pa ndonjë paragjykim, por të rinjtë e kësaj familje po ja dalin me sukses. Puna dhe angazhimi i tyre kanë bërë që ata të pranohen në rrethin e shoqërisë atje e mandej të fitojnë respekt të madh, shkruan KultPlus.

“Ka qenë e vështirë dhe vazhdon ende në disa raste. Në fillim më shumë kam qëndruar në shtëpi, e kisha problem të luaja më fëmijë të tjerë dhe të krijoja shoqëri, por kohën e kam shfrytëzuar për të marr mësime në fushën e teknologjisë, për fotografinë dhe modën, fusha që mua më prekin më shumë. Por, tashmë në shkollë njerëzit janë më të hapur dhe puna më ka bërë që të njoh shumë njerëz e të krijoj shoqëri në gjithë Holandën.

Arijani, sot merret me fotografinë. Këtë pasion ai po e zhvillon çdo ditë e më shumë dhe tashmë është duke u shkolluar për Bachelor Degree of Arts në Maastricht Academy of Arts, për fotografi. Fotografitë e tij kanë arritur të marrin vëmendje në Holandë dhe kjo është një arsye më shumë që po e nxit atë për të punuar vazhdimisht.

Për të fotografia është një mënyrë ideale për tu shprehur dhe një mundësi e mirë për të pasur ndikim në botë.

Portretet dhe fotografitë për modën janë ato që përbëjnë pjesën më të madhe të albumit të tij, por Arijani ushtron edhe profesionin si dizajner grafik dhe fotograf i arkitekturës, të gjitha këto janë të lidhura bashkë dhe po i ndihmojnë atij që të jetë një fotografë më i kompletuar.

“Fotografia për mua është një art shumë interesant, është një mënyrë për t’i treguar botës qysh unë e shijoj botën nga sytë e mi”, thotë Arijani për KultPlus.

Ai tutje tregon se fotografia e tij vjen ndryshe për faktin se fillimisht ai njihet me personalitetin e njeriut që do e fotografojë, e që atë personalitet ta prezantojë në fotografi.

“Secilin njeri apo objekt që e fotografon, fillimisht duhet ta respektosh, ideja jote mund të realizohet edhe me telefon apo çfarëdo kamere, por ka rëndësi mënyra se si e tregon”.

Për të fotografuar, Arijani ka dy stinë të preferuara. “Stina e dimrit dhe vera, janë dy stinë shumë të ndryshme, por në secilën prej tyre mund të bësh të njëjtat fotografi por me tregime të ndryshme. Dimrit mund të realizosh fotografi përmes të cilës tregon një ngjarje më të brendshme, më personale dhe të ambienteve kryesisht të shtëpisë, ndërsa vera është më e lirë, mund të shkosh gjithkund dhe të jep hapësirë të shprehesh më shumë”.

Arti i tij ka marrë vëmendje në Holandë dhe ai ka arritur të nënshkruaj disa kontrata me marka të ndryshme atje. ATHRTY Amsterdam, janë të parët që kanë përqafuar artin e fotografit shqiptar. Vizioni i njëjtë i ka bashkuar dhe ata vazhdojnë të sjellin fotografi shumë të bukura bashkë. Por jo vetëm modë. Arijani fotografon edhe arkitekturë, ai ka krijuar lidhje me shumë muze dhe galeri të ndryshme.

Javën e kaluar, fotografitë e tij u bënë pjesë e ekspozitës së madhe të fotografit të njohur Jimmy Nelson.

“Shkolla ku unë studioj, kanë përzgjedhur fotografitë e mija që të bëhen pjesë e kësaj ekspozite dhe ky me të vërtetë ishte një nder i madh. Unë jam vetëm student i vitit të dytë dhe këtë e vlerësoj arritje të madhe. Jimmy Nelson ka një bagazh të madh dhe është tejet i vlerësuar dhe për mua është ëndërr që kam arritur të ekspozoj në një vend me të”.

Në këtë ekspozitë, Arijani ka prezantuar një mix të fotografive. Portrete dhe dizajne të ndryshme ai ka shpalosur para publikut në Holandë të cilët e përgëzuan për punën e mrekullueshme.

Përkundër asaj që kjo ekspozitë ishte si një ëndërr e bukur për të, ai ka një tjetër ëndërr të madhe. Hapjen e një ekspozitë në Kosovë.

“Dëshira ime e madhe është të realizojë një ekspozitë në Kosovë. Por jo vetëm kjo, ideja ime është që në të ardhmen të kem mundësi të jap mësim për fotografinë dhe artet tjera për fëmijët në Kosovë.”

Vizitat në Kosovë ai nuk i ka të rralla, por megjithatë të shkurta. Por këtë kohë ai e shfrytëzon që ndonjë pjesë të saj ta marrë me vete falë fotografisë.

“Më pëlqen shumë kultura në Kosovë, sidomos njerëzit në fshatra. Mundohem që kohen kur jam atje ta shfrytëzoj në maksimum që t’i fokusoj vendet dhe njerëzit që më pëlqejnë”.

Ai ka treguar për KultPlus që është duke e realizuar një projekt në Holandë. Ky projekt i cili do botohet si libër, lidhet me njerëzit që shprehen përmes modës. Ndërsa Arijani ka menduar që gjithçka të realizojë në Kosovë e ta prezantojë një pjesë të kulturës së Kosovës në Holandë.

Të ardhmen Arijani e sheh duke ndihmuar fëmijët që të zhvillohen sa më shumë në këtë art, të udhëtojë sa më shumë nëpër botë e të punojë me të gjitha llojet e modeleve. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme