Frida Kahlo ose ngjyrat e dhimbjes

18 Mars, 2019 - 6:50 pm

Në këtë artikull do të tregojmë disa nga çastet më të rëndësishme të jetës  së Frida Kahlos mes pikturës, vuajtjeve dhe suksesit të merituar.

Fillimet

Bijë e “Revolucionit Meksikan”, që në lindje Frida u prek nga një deformim i shpinës, për të cilin prindërit dhe miqtë e tyre e quajtën poliomelit, duke qenë se nga ajo vuante edhe vajza tjetër. Në adoleshencë ajo tregoi një talent të habitshëm artistik, që karakterizohej nga shpirti i pavarur sepse refuzonte çdo lloj rregulli social. Nga ky kontekst do të lindte edhe tema e autoportretit. Të parin e piktori për djalin që donte kur ishte adoleshente, Alehandron.

Aksidenti

Në shumë prej punimeve paraqet aspekte dramatike të jetës së saj, më i madhi prej të cilëve ishte një aksident i vitit 1925. Dëmtimi i rëndë i legenit do të ndikonte shëndetin e saj për pjesën e mbetur të jetës, ndërsa shpesh herë do t’i nënshtrohej edhe ndërhyrjeve kirurgjikale, megjithëse frymëzimi kurrë nuk reshti. Iu dedikua me shumë pasion pikturës dhe pavarësisht dhimbjeve fizike dhe traumës psikologjike që kaloi pas aksidentit, vazhdoi të ishte ajo vajza rebele, antikomformiste dhe shpirtlirë.

Dhimbja u kthye në art

Pasi la spitalin, u detyrua të rrinte për muaj të tërë në krevat me mesin e vënë në allçi. Kohën e kalonte duke lexuar shumë libra, pjesa më e madhe e të cilëve mbi lëvizjen komuniste. Pjesën tjetër të ditës, sigurisht që pikturonte. Për të mbështetur këtë pasion, prindërit i dhuruan një krevat të lëvizshëm, një pasqyrë në tavan dhe sigurisht shumë bojëra. Raporti i saj obsesiv me trupin karakterizoi një ndër aspektet më thelbësorë të artit që bëri gjatë gjithë jetës: krijoi vizione të trupit femëror të pa shtrembëruara nga shikimi mashkullor.

Pablo Picasso në një letër i shkruante Diego Riveras: “As Derain, as ti dhe as unë nuk mund të pikturojmë një kokë siç bën Frida Kahlo!

Takimi me Diego Riveran

Pikturat që bënte në shtëpi ia dërgoi Diego Riveras, një ndër personalitetet më të shquara të artit pamor për kohën. Aq shumë përshtypje i bëri Riverës stili modern i Kahlos, saqë menjëherë e bëri pjesë të skenës politike dhe kulturore në Meksikë. Kahlo u bë edhe aktiviste e Partisë Komuniste Meksikane që prej vitit 1928. Mori pjesë në shumë manifestime dhe u dashurua me Diego Riverën. Një vit më pas u martuan, edhe pse Kahlo ishte e ndërgjegjshme për tradhtitë që Rivera do të kryente. Ai tashmë ishte në martesën e tretë, ndërsa edhe Kahlo pati shumë marrëdhënie jashtëmartesore, ndër të cilat disa edhe homoseksuale.

Vitet e fundit dhe suksesi

Jeta dhe veprat e Frida Kahlos mahnitën artistikisht shumë njerëz në mbarë botën, duke frymëzuar vepra të tjera jo vetëm pamore, por edhe letrare. Për shumë ajo mbetet figura më me impakt në shekullin e kaluar. Tre ekspozita të rëndësishme iu dedikuan: Në vitin 1938 në New York, 1939 në Paris dhe 1954 në Mexico City. Vitin pasardhës, më 13 korrik 1954, Kahlo ndërroi jetë në qytetin e lindjes. Shtëpia e saj në Coyoacán u bë strehë për mijëra e mijëra vizitorë nga e gjithë bota. Edhe sot ajo shtëpi është e paprekur, sipas vullnetit të Kahlos ndërsa është e mbushur me dritë, ngjyra dhe piktura si për të treguar shpirtin e pronares së saj.

Frida dhe surrealizmi

Që prej vitit 1938, aktiviteti i saj në pikturë intensifikohet shumë. Pikturat nuk përqendrohen më vetëm në përshkrimin e traumave të jetës, por flasin për gjendjen dhe këndvështrimin e saj për botën duke përfshirë edhe fëmijët. Gjatë një periudhe të shkurtër, elementët tradicionalë meksikanë shkrihen me prodhimtarinë e saj surrealiste. Në vitin 1938 shkrimtari Andre Breton pa për herë të parë punimet e saj dhe mbeti i mrekulluar, ndërsa tha se ishte një krijesë surrealiste e bërë me duart e tij. Nuk hezitoi ta ndihmonte në hapjen e ekspozitës së Parisit, që e bëri të famshme edhe në Europë. Kahlo e dinte se etiketimi si surrealiste do ta ndihmonte shumë për të marrë aprovimin e kritikës, ndërsa i pëlqente edhe ideja që të konsiderohej si një artiste origjinale. Në çdo rast, pikturat e saj të frymëzuara nga dhimbja, nga erotizmi me përdorimin e figurave hibride dhe krejt vizioni i Fridës ishte shumë larg atij surrealist. Imagjinata e saj nuk ishte një mënyrë për të dalë nga logjika dhe për t’u futur në subkoshiencë, por ishte produkt i jetës së saj të cilën kërkonte ta bënte të dukshme përmes simbolizmit. Lidhja e saj me surrealizmin ishte një lojë, ishte një mënyrë për të marrë pëlqimet e shpejta të kritikëve dhe intelektualëve të kohës. Vetë ajo vite më pas do ta mohonte që ishte pjesë e kësaj lëvizje, edhe pse pas viteve ’40 surrealizmi nuk ishte më në modë./Tiranapost.al

Të ngjajshme