Në nder të 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, hapet ekspozita “Kosova në gjuhët e botës”

25 Mars, 2024 - 3:38 pm

Akademia e Shkencave dhe e Arteve në Kosovë, gjatë ditës së sotme ka hapur ekspozitën “Kosova në gjuhët e botës”, në nder të 25-vjetorit të bombardimeve të NATO-S në Kosovë në vitin 1999.

Ceremonia e hapjes së ekspozitës u përcoll me një program të shkurtër muzikor, ku në piano luanin Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli – Dehiri.

Të shoqëruar lehtas nga tingujt e pianos, të pranishmit po udhëtonin në kohë përmes kësaj ekspozitë ku ishin ekspozuar qindra libra dhe botime në shumë gjuhë të huaja, që në vitet e pushtimit serb në Kosovë, kanë paraqitur vuajtjet e popullit tonë, vrasjet e të moshuarve, grave e fëmijëve, spastrimin, dhimbjen e të mbijetuarve, e çdo gjë të tmerrshme që ka prekur familjet shqiptare, ku secili ka një histori të dhimbshme e trauma të asaj periudhe, shkruan KultPlus.

Viti 1999, me ndihmën e shteteve aleate dhe të bombardimeve të NATO-s, ka shënuar “fundin” e vuajtjeve të shqiptarëve, e thënë në thonjëza pasi pasojat e veprimeve të militantëve serb, kanë përcjellur popullin tonë shumë vite më vonë, duke vazhduar edhe sot të shënohen përvjetore të familjeve të tëra që janë vrarë, të kërkohen trupa të zhdukur, e të bëhen përpjekje për të zvogëluar traumat e grave të dhunuara.

Në ekspozitën e hapur sot, ishin të pranishëm shumë persona, figura të njohura politike e akademike e përfaqësues të mediave. Në mesin e të pranishmëve ishin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ish-ministri Arsim Bajrami, historiani dhe anëtari i Akademisë së Arteve, Frashër Demaj e shumë të tjerë.

Në fjalimin hyrës, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve në Kosovë, Mehmet Kraja, duke folur për ekspozitën që rikujton shumë momente të asaj kohe, është shprehur se kjo ekspozitë do të duhej të quhej “Kosova në Memorien e Botës”, duke shtuar se kjo është një memorie e botës për ne dhe shtetin tonë.

Kraja tutje ka thënë se kjo ekspozitë është një mesazh me vlerë të qëndrueshme politike dhe humane, dhe se përmes këtyre librave të ekspozua, kujtojmë thirrjen e kujtesës dhe ndërgjegjes për shtetin tonë në fund të shekullit të XX.

Pas tij, fjalën e mori kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se përkimi i kësaj ekspozite të librave për Kosovën me luftën që NATO e bëri për të shpëtuar Kosovën, na bën të mendojmë se lufta e popujve të vegjël për liri duhet të zhvillohet në shumë fronte, sepse ne varemi nga mbështetja e shteteve të mëdha.

Konjufca ka shtuar se paraqitja e ngjarjeve në Kosovë në tërë opinionin publik, ka qenë shumë e rëndësishme sepse propaganda serbe në shtete tjera ka qenë e hershme dhe e gjatë.

“Për ne që mbështetjen e kemi kërkuar nga aleatët, ka qenë me rëndësi që mbështetjen ta kemi edhe nga çarqet akademike, dhe vendimi i shumë krerëve dhe shteteve mike për të mbështetur çlirimin e Kosovës, ishte më i lehtë për faktin e krijimit të opinionit pozitiv të të huajve”, është shprehur Konjufca gjatë fjalimit të tij.

Ai ka shtuar se duhet të veçohen librat e autorëve që ishin edhe vetë protagonist kryesorë në Pavarësinë e Kosovës, si presidenti amerikan Bill Clinton, sekretarja e shtetit Madeleine Albright, kryeministri italian Tony Blair e shumë të tjerë që vendosën kujtimet e tyre për Kosovën dhe për të vërtetën.

Në një intervistë të shkurtër për KultPlus, kryetari Konjufca, shtoi se kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme sepse janë të gjitha librat që janë botuar në gjuhët e huaja sa i përket çështjes së Kosovës.

“Ka qenë shumë e vështirë që shtetet demokratike të Evropës dhe të botës në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të veprojnë pa u bindur opinioni i brendshëm publik se kush ka pasur të drejtë, Kosova apo Serbia, e për të bindur botën që Kosova ka pasur të drejtë, është dashur të shkruhen qindra libra që të prezantohen padrejtësia, shtypja, spastrimi e në fund gjenocidi që po e bën Serbia në Kosovë”, ka deklaruar Konjufca për KultPlus.

Ndërsa, historiani Frashër Demaj i cili është edhe anëtar në Akademinë e Arteve, ka thënë se Akademia në kuadër të planifikimeve për shënimin e 25-vjetorit për sulmin e NATO-s, në mesin e shumë aktiviteteve, ka organizuar edhe këtë ekspozitë me tituj dhe botime që vijnë nga bota jo shqipfolëse, që shumica janë në gjuhën angleze.

“Përmes ekspozitës ne deshëm të sjellim në kujtesën e qytetarëve të Kosovës rëndësinë e këtyre botimeve me autorë që kanë qenë bartës të funksioneve të ndryshme, siç është presidenti Clinton dhe sekretarja Albright, që kanë ndikuar pozitivisht që çështja e Kosovës të sensibilizohet gjithandej rruzullit tokësor”, është shprehur Demaj.

Tutje, historiani Demaj tha se kontributi i tyre duhet të ndahet në dy faza, në fazën e parë që është nga viti 1990, ku më pas u organizuan zgjedhjet parlamentare e presidenciale që nxorën institucione legjitime, që dhanë rezultatet e veta.

Kurse, faza e dytë, siç thotë ai është nga viti 1999 kur çështja e Kosovës kishte ngelur e pazgjidhur dhe duhej sensibilizim i gjerë që u bë përmes këtyre shkrimeve që konstatuan se Kosova pas një faze duhet të gëzojë Pavarësinë.

“Gjithë këta emra kanë dhënë kontributin e tyre që Kosova të përmbyll fazën më të rëndësishme të saj me Pavarësi dhe me njohjen e rreth 11 shteteve që e kanë njohur Kosovën”, ka përfunduar Demaj për KultPlus. / KultPlus.com

Të ngjajshme