Galeria Kombëtare i huazon vepra Southamptonit

23 Mars, 2021 - 12:37 pm

Galeria Kombëtare është pajtuar që disa prej veprave të saj më të mëdha t’i huazohen një galerie rajonale britanike, me qëllim që të kremtohet një lidhje e veçantë shekullore dhe jo fort e njohur.

Ky institucion londinez po ia jep hua nëntë vepra, përfshirë edhe aso të Monetit dhe Gainsboroughit, galerisë së artit në qytetin e Southamptonit për një ekspozitë që do të mbahet gjatë kësaj vere. Ajo do të qëmtojë lidhjet e afërta e prapaskenat që kanë pasur gjithnjë këto dy galeri.

Gabriele Finaldi, drejtor i Galerisë Kombëtare, ka thënë se lidhjet kanë qenë unike dhe se është i kënaqur që tani mund të thuhet “rrëfimi i pathënë i lidhjes historike mes dy institucioneve tona”.

Themelet e galerisë së artit në Southampton u vunë më 1911 sipas amanetit të farmacistit lokal, Robert Chipperfield. Ai ia la qytetit koleksionin e tij me piktura viktoriane, ca para për ndërtimin e galerisë dhe vendosi që drejtori i Galerisë Kombëtare duhej të vepronte si këshilltar mbi çështje të tilla, si blerjet, huazimet dhe paraqitjet.

Image

Kjo domethënë se politikat për koleksionet e Southamptonit u vunë nga Kenneth Clarku, që nisi të bënte famë me serialet e tij televizive “Civilisation”, por në vitet ’30, bash kur ishte tridhjetëvjeçar, ai ishte drejtori më i ri në historinë e Galerisë Kombëtare.

Ai thoshte se duhen blerë veprat që kanë rëndësi qenësore e vlera estetike dhe jo vetëm ato që janë popullore e të qasshme.

Galeria u hap në prill të vitit 1939, por shumë shpejt u boshatis për shkak të fillimit të luftës.

Ekspozita në Southampton do të qëmtojë politikën e koleksioneve, e cila deri më 1975 vendosej në këshillim me Galerinë Kombëtare. Kur ia nisi të blinte më shumë vepra bashkëkohore artistike, “Tate” u bë një lloj këshilltari kombëtar.

Në dekadat e fundit, lidhjet e afërta mes Galerisë Kombëtare dhe Southamptonit kanë vazhduar në një sërë mënyrash.

Rreth 60 vepra do të shfaqen. Pikturat e huazuara përfshijnë “The Petit Bras of the Seine at Argenteuil” të Claude Monetit më 1872, që do të përqaset me një tjetër pikturë të Monetit, në pronësi të Southamptonit, “The Church Vétheuil” (1880).

Piktura e Gainsboroughit, pronë e Galerisë Kombëtare, e quajtur “Dr Ralph Schomberg”, rreth vitit 1770 do të përqasohet me një tjetër të po këtij autori, pronë e Southamptonit, “George, Lord Vernon” (1767). Edhe piktura trazuese e Salvator Rosas për “Shtrigat” do të përqaset me një tjetër të po të njëjtit autor “A Mountain Landscape”, që është në pronësi të Southamptonit.

Southamptoni shpreson se shfaqja do të jetë një gur themeltar për të fituar betejën që ky qytet të shpallet si qytet i kulturës më 2025. / Koha.net / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme