Getoar Ukimeraj, blogeri i parë shqiptar që ka arritur të bëhet Brand Ambassador në kompani botërore

16 Korrik, 2020 - 10:49 am

Xhemile Hysenaj

Getoar Ukimeraj, një i ri nga Prizreni i cili me sukseset e tij ka arritur të bëhet inspirim për gjeneratat e reja, ku përmes punës së tij ka dëshmuar se kurrë nuk është vonë për të ndjekur ëndrrat qofshin ato edhe nga një vend i vogël e pak i njohur siç është Kosova. Ai është pasionant pas fotografisë dhe kafshëve, dy gjëra shumë të ndryshme nga njëra tjera, por që në thelb të dyja kërkojnë dashuri e përkushtim.

Mënyra e veçantë e realizimit të fotografive, të cilat kryesisht i realizon në mënyrë individuale kanë bërë që ai të bëhet edhe bloggeri i parë shqiptar që ka arritur të bëhet Brand Ambassador për kompani të mëdha botërore, arritje kjo për të cilën Getoari ka folur më detajisht në një intervistë për KultPlus.

KultPlus: Jeni bloggeri i parë shqiptar që keni arritur të bashkëpunoni me shumë kompani si në Evropë, Amerikë e Australi, na tregoni më shumë për fillimet e tuaja si blogger, si keni filluar dhe si keni arritur të bashkëpunoni me ato kompani?

Fillimet e mija si blogger, kanë qenë krejtësisht të rastësishme. Gjithçka ka filluar me postimin e fotografive profesionale në profilin tim në Instagram, ku me postimin e fotove gradualisht ka filluar edhe rritja e ndjekësve dhe pastaj kam marrë email nga 3 brand kompani me qendër ne Evropë, të cilët kanë shprehur interesimin të bashkëpunojnë me mua për reklamimin e produkteve të tyre dhe me kalimin e kohës bashkëpunimet kanë vazhduar edhe me kompani të tjera të cilat kanë qenë një faktor mjaft i rëndësishëm pse unë kam vazhduar këtë aktivitet për katër vite me radhë.

KultPlus: Sa është e vështirë për një të ri nga Kosova të integrohet në tregun botëror?

Është shumë e vështirë sepse sado që fotografitë realizohen në mënyrë shumë kreative dhe shumë profesionale, Kosova bën pjesë që grupin e atyre shteteve që brendet botërore nuk shohin ndonjë interes të zhvillojnë tregun e tyre aty, madje disa prej tyre as nuk e dijnë se ku ndodhet Kosova. Mirëpo, edhe pse vështirësitë janë të mëdha, kur punon shumë dhe puna tregon produktivitet, gjithsesi se do të arrish sukses.

KultPlus: Si qëndron lidhja juaj me vendlindjen, pasiqë tashmë veprimtaria e juaj ka kaluar kufijt?

Lidhja ime me vendlinjen time është tejet e fortë, duke filluar nga raporti shumë i afërt dhe i pazëvendësueshëm që e kam me familjen time e pastaj kontaktet e vazhdueshme me shoqërinë, e bëjnë të pamundur iden e të qëndruarit larg familjes, apo zbehjen e lidhshmërisë me vendin tim. Ndërkaq, sa i përket veprimtarisë edhe pse është pak e vështirë të zhvillohet nga këtu, rrjetet sociale na e ofrojnë një mundësi më të madhe për punë e zhvillim profesional.

https://www.instagram.com/p/CB0KWqMlmN2/?utm_source=ig_web_copy_link
https://www.instagram.com/p/B_H1MW9FooT/?utm_source=ig_web_copy_link

KultPlus: Ju ushtroni profesionin e veterinarit dhe dashuria juaj për kafshët vërehet shumë në fotografitë e kafshëve që postoni, na flisni shumë për raportin tuaj me kafshët?

Po, duke u nisur fillimisht nga fakti se fëmijëria ime deri në kohën e studimeve është zhvilluar në zonë rurale, kontakti me kafshët ka qenë i zakonshëm, ka qenë përditshmëri për mua pasiqë edhe në shtëpi kemi pasur kafshë të ndryshme shtëpiake, duke bërë që çdoherë e më shumë të forcojë lidhjen time me to. Tash sigurisht mundohem të iu vihem atyre në ndihmë edhe nga aspekti profesional sëbashku me vëllaun tim i cili poashtu ushtron të njëjtin profesion. Unë besoj dhe shpresoj se një ditë do të jem një zë i fuqishëm për të drejtat e kafshëve edhe pse dita ditës kujdesi ndaj kafshëve po përmirësohet çdo ditë e më shumë dhe kjo gjë më bën jashtëzakonisht të lumtur për këtë progres në vendim tim.

https://www.instagram.com/p/B9OqttmFLwL/?utm_source=ig_web_copy_link
https://www.instagram.com/p/BaoLIxLBg1R/?utm_source=ig_web_copy_link

KultPlus: Fotografitë e juaja i realizoni vet, a e bën kjo më të vështirë punën apo më të lehtë?

Fotografitë në tërësi realizohen nga unë, duke filluar nga koncepti e shumë shpesh edhe nga shkrepja e deri tek editimi i detajuar. Unë mendoj se si proces është më i vështirë kur realizohet individualisht, por që rezultati final është më i përafërt nga pritshmëria në moment fillestar. Sepse e di se çfarë dua të shfaqë në atë foto dhe e di se deri ku mund të shkoj rezultati final.

KultPlus: Na flisni pak për pasionin tuaj si fotograf dhe ku isnpiroheni zakonisht, a keni ndonjë ‘role model’?

Pasioni për fotografinë ka qenë i kahmotshëm, por angazhimet që nga angazhimet që i kam pasur vitet e fundit nuk kam pasur mundësi të i përkushtohem më seriozisht. Tashmë fotografisë ia dedikoj një pjesë të mirë të kohës, kursë sa i përket shembullit tim (role model), nuk kam një ose disa të cilët do të mund t’i veçoja, pasiqë mua çdo ditë e më shumë më pëlqejnë e inspirohem nga fotografi e fotografë të ndryshëm, nga koncepte, editime dhe çdo gjë tjetër rreth fotografisë. Tek secila fotografi mund të gjej gjëra që më pëlqejnë dhe inspirojnë për fotografitë që planifikoj t’i realizoj në vazhdim.

https://www.instagram.com/p/BxFTnOzlpQi/?utm_source=ig_web_copy_link

KultPlus: Na tregoni më shumë se si është një ditë e juaj e zakonshme?

Aktualisht për shkak të gjendjes pandemikë, aktiviteti im është në përgjithësi më i qetë. Dita fillon me shujtën e drekës, pastaj merrem me dërgimin dhe kthimin e email0eve me kompani të ndryshme për mundësi bashkëpunimi. Pastaj një pjesë të mirë të ditës ia dedikoj studimit në lidhje me lëndët e caktuara në fakultet, duke vazhduar pastaj me biseda e takime të përditshme me familjar e shoqëri, kurse mbrëmja zakonisht më gjen duke edituar fotografitë e klientëve të mi, duke shikuar ndonjë film apo dokumentar që zakonisht kanë të bëjnë me kafshët, sëmundjet e tyre dhe gjithçka që i karekterizon ato.

KultPlus: Cili është mesazhi juaj për të rinjt në Kosovë që pretendojnë të ndjekin të njejtën rrugë si ju?

Mesazhi për të rinjt në Kosovë është që të lexojnë sa më shumë, të informohen e të marrin njohuri për laminë e caktuar, të provojnë gjëra të reja dhe të kuptojnë se çfarë realisht i plotëson ata. Pastaj kjo ua mundëson atyre t’i ndjekin ëndërrat e tyre dhe të punojnë shumë drejt tyre. Sepse vetëm me punë dhe përkushtim të madh, arrijmë qëllimet që ia kemi vënë vetes para. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/BfGiBSaB6mq/?utm_source=ig_web_copy_link

Të ngjajshme