GKK shpalos programin e ekspozitave për vitin 2020

23 Janar, 2020 - 12:15 pm

Programi i Galerisë Kombëtare të Kosovës për vitin 2020 është aprovuar nga Këshilli Drejtues i Galerisë dhe është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës për aprovim, shkruan KultPlus.

Menaxhmenti dhe Këshilli Drejtues, sërish mëtuan që në program të inkuadrojnë sa më shumë projekte që pasqyrojnë realitetin tonë, si dhe atë të artit bashkëkohor në botë.

”Qëllimi ynë me rastin e përpilimit të programit ishte që të prekim sa më shumë çështje globale dhe lokale, që e influencojnë kulturën dhe artin dhe anasjelltas. Këtë do ta realizojmë duke ngritur ide të reja përmes qasjes inovative, drejt një shoqërie sa më të pasur kulturalisht dhe artistikisht, jodiskriminuese dhe gjithpërfshirëse – pa dallim gjinie, race, orientimi seksual apo bindjeje politike.”, thuhet në kominikatën për media.

Galeria Kombëtare ndër të tjerash synon të pasurojë programin me aktivitete të ndryshme që tejkalojnë kufijtë tradicional mes diciplinave artistike, duke shpresuar kështuqë kushtet në të cilat punojnë të përmirësohen dukshëm, duke filluar nga infrastruktura e ndërtesës së galerisë e deri te puna e pavarur institucionale

Programi i ekspozitave të Galerisë Kombëtare të Kosovës përfshin 11 ekspozita që do të hapen në GKK, nga të cilat 7 janë individuale ( Burim Gashi, Lirie Buliqi, Alban Muja, Sigmar Polke, Jakup Ferri, Zharko Bashevski, Eliza Hoxha) dhe 4 grupore ( Onufri Remade, Asociacioni i Artistëve Vizual të Kosovës, Artistët nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Bienalja Muslim Mulliqi).

Pos kësaj, përmes shkëmbimit të ekspozitave GKK do të vazhdojë bashkëpunimin me Maqedoninë Veriore, BiH, dhe Turqinë.

Ndërkaq, në Strehimoren e Bregut të Dielllit do të hapet ekspozita permanente e koleksionit të GKK në kuadër të projektit “Strehimorja e Artit Modern dhe Bashkëkohor” të filluar qysh para dy vitesh me Komunën e Prishtinës.

Programi i Edukimit do të vazhdojë për të tretin vit me rradhë me projektin “ARTTEEN CLUB” i cili u tregua shumë i suksesshëm përnga rritja e interesimit për aktivitete produktive nga ana e të rinjve, si dhe për nga orientimi në karrierë duke i mësuar ata diçka më shumë për artin bashkëkohor.

Programi i Ligjeratës dhe Debatit do të zhvillohet në GKK në bashkëpunim me disa institucione ndërkombëtare, ku persona të rëndësishëm nga skena ndërkombëtare e artit bashkëkohor si kuratorë, teoricienë etj, do të mbajnë punëtori dhe ligjerata në GKK me qëllim zhvillimin e strukturave të qëndrueshme punuese dhe bashkëpunuese mes artistëve dhe punëtorëve kulturorë.

Pos përgaditjeve që tanimë kanë filluar edhe ky do të jetë një nga hapat e parë të GKK si partnere e Manifesta 14, bienales nomadike që do të mbahet në vitin 2022 në Prishtinë.

Gjatë vitit 2020 GKK planifikon të dalë me disa publikime të pavarura nga ekspozitat e përkohshme, në kuadër të Programit të Hulumtimit dhe Publikimeve, e që do të jenë të fokusuara në Koleksionin e GKK. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme