Greg Rama hapë një ekspozitë jo të zakontë, fton në një rrugëtim jashtë materiales

5 Mars, 2020 - 1:25 pm

Lindur nga dy artistë, Greg Rama vijon të krijojë personalitetin e tij artistik. Sapo ka çelur ekspozitën “Ex Nihilo”, që në këndvështrimin e tij artistik, sjell në vëmendje gjërat e vogla, thuajse të parëndësishme, të së tërës. Interesi i medieve ka ardhur menjëherë.

Gjatë intervistave tipike të hapjes së ekspozitës figurative, Greg Rama, i biri i Kryeministrit Edi Rama, ka zbuluar disa detaje të rëndësishme. Artisti i ri, tregon se për kurator, ka kundërshtarin politik të të atit.

“Këtë herë kam bashkëpunuar me ca njerëz shumë pozitivë dhe dashamirës, shumë të përkushtuar ndaj kësaj pune, duke filluar nga kuratori Ardian Isufi, duke vazhduar me Altin Likën që e kam dhe mik, si dhe disa njerëz të tjerë që janë bërë një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj gjeje”, ka thënë Gregu.Ardian Isufi është pjesë e Departamentit të Kulturës në Partinë Demokratike, njëherësh pedagog i njohur i Arteve Figurative

Ekspozita “Ex Nihilo”, pranë galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura, është një instalacion që përshkohet nga spektatorët përmes dritës imagjinare. Ndërsa turbulencat politike, tentojnë të bëhen kryefjalë e një populli të heshtur, në galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura, një ekspozitë jo e zakontë, të fton në një rrugëtim jashtë materiales. Një fije bari dhe bulëz uji, me bashkëveprim e mandej fizikisht të shkëputura, janë elementët që Greg Rama zgjedh për të rrëfyer rëndësinë e përditshmërisë, detajeve të thjeshta që shpesh, qëllimisht ose jo, zhvlerësohen.

“Kjo ekspozitë ka lindur nga asgjëja. Ideja ishte për t’i dhënë kuptim diçkaje që në dukje është shumë e vogël dhe e parëndësishme, por pas një reflektimi kupton se të gjitha gjërat e vogla në dukje, gëzojnë një rëndësi të veçantë për ne, për vetëdijen tonë edhe për mënyrën se si ne e shikojmë botën edhe jetën”, shpjegon ai.

Artisti bashkohor me “Ex Nihilo”, sjell një këndvështrim ndryshe të rutinës, ku personalja nuk përjashtohet edhe pse protektiv nuk e shpërfaq, për t’i dhënë rëndësinë e duhur përjetimeve të çdokujt.

“Diçka të padukshme në rutinën tonë, që e anashkalojmë (jo për keq), përmes një ndërhyrje artistike kthehet në përmasa mbinormale. Kjo, mendoj se na bën që t’i rishikojmë edhe një herë, të gjithë gjërat e vogla që ndikojnë tek ne” – është mesazhi i artistit premtues.

Gregu nuk lë pa rrëfyer as ndikimin e dy prindërve artistë, Edi Ramës (piktor) dhe Matilda Makoçit (aktore), në zgjedhjen e tij, për të qenë pjesë e artit figurativ.

“Të kesh dy prindër artistë është dhe nuk është shumë e vështirë. Por, unë mendoj se jam me fat për të dy, pasi kanë ndikuar që të merrem me këtë punë. Që i vogël ime më donte që të merresha me art, edhe pse unë s’mendoja kështu. Por, ja ku jemi edhe mesa duket, doli instinkti i nënës”, shprehet Gregu.

Ekspozita “Ex Nihilo” do të vijojë pranë galerisë së Fakultetit të Arteve të Bukura, deri më 15 mars. / Konica.al / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme