“Hapësira zero” përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e Venecias 2018

14 Janar, 2018 - 10:40 am

Projekti “Hapësira zero” përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e 16-të Ndërkombëtare të Arkitekturës, Venecia 2018.

Ministria e Kulturës shpall projektin që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2018. Projekti fitues është “Hapësira zero”, i paraqitur nga Commonsense, Studio/PRGBR Architektur FABLAB, Tirana.

Ky projekt u përzgjodh nëpërmjet një thirrjeje të hapur për projekt-propozime (2 gusht – 3 nëntor 2017), shpallur nga Ministria e Kulturës në rolin e komisionerit të pavijonit të Shqipërisë, në vijim të tre fazave të procesit selektiv, nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: Gëzim Qendro, Bekim Ramku, Simon Battisti, Adelina Greca dhe Arta Dollani.

Anëtarët e jurisë arritën në përfundimin se ky është projekti më i mirë dhe ekipi më bindës për realizimin e suksesshëm të pavijonit shqiptar në Bienale, i cili përmbush kriteret e paraqitura në thirrjen e hapur.

Juria u frymëzua nga lidhja e propozuar nga ekipi midis Venecias dhe Tiranës për të sjellë një pjesë të mjedisit urban të Tiranës në Venecia, një pjesë që Tirana po humbet në procesin e zgjerimit urban / rindërtimit.

Projekti “Hapësira zero”

Ridimensionimi i Tiranës, i qytetit në shkallë njerëzore, duke u kthyer në një hapësirë ku gjeneratat e ardhshme njohin vetveten. Ekipi përkthen dhe interpreton natyrën e çastësishme të jetës së Tiranës, kap një moment nga fluksi i saj dhe ja dorëzon atë publikut të Biennales. Një instalacion që interpreton pozitivisht një fenomen që lind si social, por që përkthehet në një energji që modelon nëpërmjet arkitekturës së qytetit të gjithë mënyrën tonë të jetës, në një pikëtakimi domethënëse të njeriut me hapësirën. Tirana hap dyert e saj komode, plot ngjyra dhe tinguj primordialë, në Biennalen e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës./ KultPlus.com

Të ngjajshme