займ на карту онлайн потребительский кредит

Hapet ekspozita e Doruntina Kastratit “Heronjtë Publik dhe Sekretet”, trajton keqtrajtimin e klasës punëtore

10 Korrik, 2020 - 8:00 pm

Qendrim Badalli

Në oborrin e Muzeut Kombëtar të Kosovës ishte vendosur një tavolinë. Aty mysafirët mund të shërbeheshin më nga një pije, por gjithsesi edhe t’i spërkasnin duart me sprej dezinfektues që gjendej aty. Edhe maska po shpërndaheshin në hyrje të Muzeut, kurse në këndin ku do të hapej ekspozita ndalohej grumbullimi i më shumë se pesë personave. Një gërshetim mes aktivitetit artistik dhe rregullave pandemike ishte qartazi i vëreheshem.

Një numër relativisht i madh i të ftuarve u grumbulluan në Muzeun Kombëtar të Kosovës për ta parë hapjen e ekspozitës “Heronjtë Publik dhe Sekretet” nga Doruntina Kastrati me kuratoren Hana Halilaj, shkruan KultPlus.

Në një nga këndet e Muzeut Kombëtar ishin vendosur tri skulptura figurative, secila në skele në vete, gjymtyrë trupi që reflektonin dhimbje e shtypje fizike, gjymtyrë trupi që reflektonte instrumentalizimin e tij nga një sistem i egër ekonomik. Në një pjesë tjetër të ndarë, po shfaqje një video me titullin “Kur mbaroi, vdekja as që na mbylli sytë”, video ku zëri dhe fytyrat e punëtorëve të krahut po e plotësonin rezinën dhe silikonin e skulpturave në anën tjetër.

Kështu, artistja Doruntina Kastrati përmes kësaj ekspozite ka zhveshur në tërësi makiacionet neoliberale duke e përballur publikun me heronjtë e botës moderne, të cilët të shtypur e të shfrytëzuar punojnë me standarde minimale në të gjitha dimensionet. Për këtë ajo vendosi në funksion këto skulptura dhe këtë video, por puna e saj prapa kësaj ekspozite duket të ketë qenë intenzive dhe jo aq e lehtë.

Në një intervistë për KultPlus, autorja e kësaj ekspozite, Doruntina Kastrati, tregoi se si u motivua për këtë ekspozitë:

“Është ekspozita ime e dytë personale që mbahet në Kosovë dhe është pjesë e hulumtimit “Heronjtë Publik dhe Sekretet” që ka filluar si një hulumtim i imi mbi gjendjen e klasës punëtore në Kosovë. E gjithë kjo ka nisur paraprakisht me një ekspozitë që kam pasur në Greqi me 2019 ku kam qenë e ftuar që ta bëj një hulumtim mbi një qytet të quajtur Lefsina i cili për shkak të krizës që ka pësuar Greqia në atë kohë ka pësuar kolaps dhe prej një qyteti super të industrializuar ka kaluar në një deindustrualizmi total”.

Tutje, Kastrati, që sheshit shihej se në të është gërshetuar shpirti artistik me një mprehtësi intelektuale, vazhdoi duke treguar një përvojë personale që i kishte ndihmuar të thellohej në problemin që tashmë po e paraqiste në ekspozitë.

“Në Greqi pata punuar në një fabrikë të punëtorëve të quajtur Titan ku u pata njoftuar më afër mbi vdekjet e punëtorëve brenda asaj fabrike. Aty pata filluar më nga afër që të reflektoj mbi punën time të mëparshme, ku kam trajtuar tematika të cilat kishin të bëjnë me ndërtimet ilegale, keqpërdorimi i hapësirave publike në vend si dhe shkatërrimi urbanistik i qyteteve. Me këtë ekspozitë kemi një kalim të punës sime në atë që dje jam marrë me rendin e lartë kapitalist teksa tash kemi si tematikë klasën punëtore”.

Artistja Doruntina Kastrati vazhdoi duke treguar specifikisht për përmbajtjen e ekspozitës, teksa foli edhe për bashkëpunimin me kuratoren Hana Halilaj.

“Këtu paraqes dy mediume të ndryshme, pjesa e skulpturës dhe një video që e kam realizuar me punëtoret të cilët janë punëtor krahu ndërsa pjesa tjetër janë punëtor që janë duke punuar në kompani tjera private. Pra janë dy mediume të ndryshme, pastaj në pjesën e shtatorit-tetorit përfshihet publikimi i një libri ku shfaqet edhe më afër ky hulumtim që është bërë mbi këtë tematik. Unë kam punuar me kuratoren Hana Halilaj që është bashkëpunimi jonë i parë. Ajo është kuratorja por edhe hulumtuesja e këtij procesi një vjeçar që e kemi bërë bashkë”.

Muzeu Kombëtar i Kosovës është destinacioni i parë por jo edhe i fundit i kësaj ekspozite. Puna e artistes Kastrati do të shihet edhe në Gjermani e Itali:

“Vepra do të udhëtoj në Hamburg në Tetor dhe pastaj në 2021 udhëton në Romë”, është shprehur Doruntina Kastrati.

Ekspozita është hapur sot në orën 18:00 ndërsa do të jetë e hapur deri më datën 24 të këtij muaji në Muzeun Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme