Hapet ekspozita e piktorit dhe fotografit më të madh të Shkodrës

14 Qershor, 2019 - 5:30 pm

Të enjten me 27 qershor në ora 20:00 hapet ekspozita retrospektive e artistit Kolë Idromeno në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku kjo ekspozitë do të prezantoj pikturat më të rëndësishme të autorit si dhe shfaq një përzgjedhje fotografish të shkrepura prej Idromenos në studion e tij dhe në qytetin e Shkodrës, shkruan KultPlus.

Nikollë Idromeno i njohur si Kolë konsiderohet si një artist shumëdimensional i cili filloi me fotografinë mirëpo vazhdoi si piktor, skulptor, skenograf, muzikant e arqitekt. Idromeno mbahet si i pari përfaqësues i historisë së pikturës moderne shqiptare dhe shquhet si një ndër piktorët më të mëdhenj shkodran. Edhe pse ky njeri i madh i artit pamor u shua para 80 vitesh veprat e tij ende sot janë të vlerësuara dhe të domosdoshme për pasardhës të profesionit përkatës mirëpo edhe si pasuri e çmuar e artit shqiptar.

Idromeno është nxënës i fotografit të njohur, Pietro Marubi ndërsa studimet për pikturë i përfundoi në Venecja të Italisë ku u formua me veprat e rilindasve evropianë.

Imazhi: Kolë Idromeno “Portret”, 1927

Kolë Idromeno ka një meritë të madhe në prizmin e pikturës. Risitë që pruri në këtë fushë kanë qenë shumë të rëndësishme, duke ia nisur me realizmin e nga laicizmi i përfaqësuar si tek “Motra Tone” deri tek “Plaku nga Postrriba”.

Ai u bë i njohur edhe si arqitekt. “Dugajt’ e reja” në Shkodër është një rrugë e projektuar prej tij, por dhe shumë ndërtesa të qytetit dhe rrugë qëndrore janë punuar nga dora e Koli Idromenos.

Detaje të tjera mbi ekspozitën do të postohen gjatë ditëve në vijim. /KultPlus.com

Të ngjajshme