Hapet “Kthim”, për herë të parë ekspozohet puna e 20 artistëve të rinj që ndërlidhin njerëzoren me digjitalen

12 Dhjetor, 2022 - 7:45 pm

Era Berisha

Artistët si: Antika Veseli, Arbreshë Qerimi, Arjeta Bislimi, Azra Ibrahimi, Besarta Hoxha, Djellza Berisha, Djellza Hyseni, Doresa Zulfaj, Emine Dajaku, Erblina Mahaj, Erion Kllokoqi, Erleta Krasniqi, Era Goga, Fitim Haziri, Flamur Bilalli, Jon Rexhaj, Krenare Sylejmani, Leonita Muja, Reita Rrecaj dhe Rinor Daut, kanë ekspozuar sot punën e tyre unike nëpërmjet ekspozitës nën emërtimin “rETurN” apo “Kthim” me kuratore Majlinda Kelmendin, një ekspozitë kjo që synon t’u japë mundësi artistëve të rinj për t’u promovuar në skenën e artit, shkruan KultPlus.

Sot duke filluar nga ora 18:00, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka mirëpritur një numër të madh të artdashësve, të cilët kanë mbushur katin e dytë qosh më qosh. Një atmosferë e ngrohtë dhe në të njëjtën kohë diversive, është krijuar nëpërmjet gjithsej 20 pikturave të cilat kishin zënë vend në një formë të gjysmë hënës.

“rETurN” apo “Kthim”, ka shpalosur një punë intensive nëpërmjet përçimit të botës intensive e të brendshme të këtyre studentëve që ëndërrojnë vazhdimisht, me ç’rast ngjyrat tejet ekspresive e kanë pikturuar atë ndjesi më së miri. Bota në shpirtin e tyre ka dalë përtej në pikturë dhe ka lëvizur nëpërmjet figurave abstrakte, këndshëm të krijuara. Tema me motive të ndryshme kanë prekur çdo cep, dhe kjo lehtazi admirohej nga gjithsecili i pranishëm.  

Impulsi krijues i tyre është shfaqur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ndonëse, në dimensione e teknika të ndryshme si në akrilik, vaj në pëlhurë, akuarel në letër, mix media e shumë të tjera, secila pikturë dëshmon një seriozitet të pakrahasueshëm. Me këtë projekt artistik, është synuar krijimi i një atmosfere miqësore që ka bërë bashkë artin dhe të pranishmit, dhe kësisoj ka rindërtuar një vetëbesim të nevojshëm. Interesi është zgjuar, dhe dialogët veçse kishin filluar në mesin e audiencës.

Ekspozita përbëhet nga vepra të artistëve të rinj të realizuara në vitin 2022 dhe të pa ekspozuara më parë. Po ashtu, ekspozita shërben si një shprehje e artit konceptual në vend si dhe mund të shihet si një kontribut në diskutimin e vazhdueshëm të rëndësisë së artit konceptual në vazhdimësi.

Kuratore dhe ideatore e këtij projekti është Majlinda Kelmendi e cila sot bëri hapjen e kësaj ekspozite që sipas saj, me heshtjen e vetë, flet shumë.

“Mirëmbrëma dhe mirë se keni ardhur në ekspozitën e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në mesin e artdashësve, kolegëve, studentëve, familjarëve po e hapim këtë ekspozitë. Kjo është një ekspozitë që në dukje duket në heshtje me këto punimet e vendosura por të cilat flasin me heshtjen e tyre. Në fakt, prapa tyre është një punë e madhe e studentëve dhe këtu shfaqet vetëm dyzet për qind e punës së tyre për shkak se ata kanë punuar një kohë të gjatë dhe në bashkëpunim, kemi nxjerr më të mirën tonë”, thotë Kelmendi.

Sipas saj, vetë titulli “Kthimi” është diçka që është e rëndësishme për artistët por edhe për gjithë të tjerët.

“Momentalisht kemi disa dilema në lidhje me njerëzoren dhe digjitalen. Pikërisht kjo temë i ka provokuar ata për t’i sjell këto punime ku herë-herë do shihni nudo të cilat janë të trajtuara në mënyrë abstrakte dhe moderne e herë të tjera do të shihni elemente digjitale nëpër punën e tyre. Pjesa hulumtuese që ata kanë bërë, për mua është shumë gjë e vyer dhe kjo ka qenë arsyeja dhe motivi për të ndërmarrë këtë punë. Tanimë fjalët nuk janë shumë të rëndësishme sa puna e tyre. Që kur e kanë nisur në fillim këtë projekt me kërkesë të studentëve, qëllimi ka qenë gjithmonë mbështetja e të rinjve për shkak të situatës që është pak më e vakët në shoqërinë tonë dhe e kam parë me sytë e mi se sa entuziazëm kishte në sytë e tyre. Faleminderit që jeni këtu dhe ju sugjeroj t’i shijoni këto piktura”, përfundon Kelmendi.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prishtinës – Drejtoria për Kulturë. / KultPlus.com

Të ngjajshme