Hapet thirrja për “Colours of Albanians”, bëhen bashkë Shqipëria e Kosova

9 Dhjetor, 2021 - 1:02 pm

Ky është viti i parë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës organizojnë bashkërisht konkursin “Colours of Albanians” apo “Ngjyrat e Shqiptarëve”, shkruan KultPlus.

“Risia e këtij edicioni është përfshirja akoma më aktive e Diasporës, ndaj fushata e këtij  viti synon të shtrihet tek një audiencë sa më e gjerë, jo vetëm në  trojet shqiptare, por edhe në të gjitha vendet ku jeton e punon diaspora, për të promovuar një ndjesi të përbashkët të identitetit shqiptar dhe përkatësisë sonë evropiane”, thuhet në këtë njoftim.
Kurse për detajet e konkursit, është njoftuar se konkursi funksionon fare thjeshtë: Çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Shqipëri dhe Kosovë dhe ta postojë këtë foto/ video në platformën sociale Instagram #ColoursofAlbanians llogaria zyrtare e këtij konkursi, duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians.

Koleksioni i fotove dhe videove në mbyllje të konkursit i kalon jurisë të përbërë nga shtatë personalitete të njohura të artit e të fotografisë nga Shqipëria, Kosova dhe Diaspora të cilët zgjedhin 50 fotot e videot më të mira të vitit 2022 dhe shpallin 6  fotot dhe videon fituese në një ceremoni përmbyllëse. Këto foto më pas botohen në një album i cili shpërndahet në të gjithë botën nëpërmjet përfaqësive diplomatike të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë mënyrë jo vetëm produkti final, por edhe vetë procesi, nga 26 nëntori 2021 deri më 17 shkurt 2022, realizon një fushatë me efekt shumë të gjerë në promovimin e Kosovës dhe Shqipërisë, pasi spektatori, kundruesi i së bukurës dhe vlerave është njëkohësisht dhe autor i këtij konkursi.

Colours of Albanians synon të jetë frytdhënëse në tri drejtime:

Promovimi i trashëgimisë kulturore të vendeve tona të transformuar në rrugën drejt integrimit në BE;

Forcimi i markës kombëtare dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë e Kosovës nëpër botë;

Forcimi i marrëdhënieve mes diasporës me vendin e origjinës dhe promovimi i identitetit kombëtar të  komuniteteve të diasporës;

Fushata do të ketë dy evente kryesore; ceremoninë e hapjes më 26 nëntor 2021 në Shqipëri dhe atë  të mbylljes dhe dhënien e çmimeve fituese më 17 Shkurt 2022 në Kosovë.

“ColoursofAlbanians” është një iniciativë e rregullt vjetore nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.

Deri më sot janë organizuar 5 edicione të #ColoursofAlbania nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu një edicion i ngjashëm është organizuar edhe në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme