Heroina dhe emblema e shumë gjeneratave inaugurohet në kryeqytet, Nexhmije Pagarusha ‘frymon’ përsëri në Prishtinë

12 Nëntor, 2021 - 5:30 pm

Muralet janë bërë objekte qendrore të komunitetit që i bashkojnë njerëzit për të festuar trashëgiminë dhe historinë e kulturës së tyre, shkruan KultPlus.

Buzëqeshja e Nexhmijes i rikthehet kryeqytetit, figura e jashtëzakonshme e artistes shqiptare do të jetë në qendër të Prishtinës përsëri.

Mural Fest ka inauguruar një punim për Nexhmije Pagarushën në pjesën afër Filarmonisë së Kosovës, për të ‘rikthyer’ në kryeqytet buzëqeshjen që i ka munguar Kosovës për një kohë të gjatë.

Njëra ndër personat më të afërt me Nexhmijen qysh nga fillimi i karrierës së bujshme të artistes, Flora Durmishi, pohoi me shumë emocion se një mural i tillë i ka munguar për një kohë të gjatë kryeqytetit dhe jo vetëm.

“Është gjëja më e bukur që ka ndodhur kohëve të fundit, të shoh të na rikthehet imazhi i Nexhmijes që na mungon që sa kohë, që ka ikur fizikisht nga kjo botë. Tani e kemi një vend ku mund të vijmë ta shohim, turistët që vijnë dhe shumë të tjerë” – ka thënë ajo në një prononcim për KultPlus.

Tutje, Durmishi kujtoi kohën me Pagarushën dhe gëzimin që ajo ndjeu kur pa të rikthehet figura e saj në Prishtinë.

“U gëzova shumë që Prishtina tani të identifikohet edhe me muralin e Pagarushës. Është mirë, është afër qendrës, afër Filharmonisë nëse do të jetë këtu. Mendoj që po të ishte në qendër do të ishte shumë më bukur. Por, këtu është gjetur hapësira dhe mundësia, mirë është shumë” – vazhdoi  tutje ajo.

Në fund, ajo tregoi që sa herë që do të kalojë në këtë pjesë të qytetit, do të jetë sikurse një bashkëbisedim me Nexhmijen.

Drejtoresha ekzekutive nga Mural Fest, Lebibe Topalli, falënderoi të gjithë stafin dhe bashkëpunëtorët që ndihmuan në realizimin e këtij punimi të madh për gjithë Kosovën.

“Ne si Mural Fest jemi një organizatë artistike dhe qëllimi ynë është të japim kontributin tonë dhe të lëmë gjurmë në qytete të ndryshme të Kosovës. Jo rastësisht kemi filluar me muralin e Rita Orës dhe jo rastësisht po e mbyllim këtë vit me Nexhmije Pagarushën, bylbyli i muzikës shqipe, jo vetëm që është dalluar me zërin e saj por ka dhënë kontribut të ndryshëm edhe në emancipimin e femrës. Në kohën kur ajo ka vepruar ka qenë tepër e vështirë të merrej një vajzë me ato aktivitet, por Nexhmija nuk është ndalur”, përfundoi ajo.

Drejtori i Kulturës, Adrian Berisha, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për këtë mural dhe beson se kjo rrugë duhet të ndryshojë emrin e saj në vazhdim.

“Një emocion i jashtëzakonshëm të jem në praninë e juaj, nuk mjaftojnë qindra mijëra fjalë t’i themi për jetën dhe veprën e të madhes Nexhmije Pagarushës, ndjehem jashtëzakonisht i vogël prandaj edhe hezitova. Ne si përfaqësues të institucioneve publike dhe ekipet tona na mbetet që të punojmë sa më shumë që të përkujtojmë veprën e artistëve tanë që kanë vepruar në fusha të ndryshme të artit dhe kulturës. Dëshiroj të falënderoj shumë ekipin e Mural Fest dhe të gjithë që kanë kontribuar. Ka qenë shumë e vështirë që të realizojmë këtë projekt por shpresoj që kjo iniciativë e vogël të shërbejë që kjo rrugë të quhet ‘Rruga Nexhmije Pagarusha’”, tha ai.

Për fund ai falënderoi edhe artisën e njohur nga Barcelona, Alba Fabre, e cila realizoi këtë punim të muralit.

Artistja Fabre para disa ditëve kishe deklaruar për KultPlus se arsyeja kryesore pse ky portret është në bardhë e zi, erdhi si rezultat i mos-humbjes së origjinalitet dhe natyralitetit të Nexhmijes.

Familjarja e  Nexhmijes, Lule Pagarusha, ishte shumë e emocionuar gjatë fjalimit të saj.

“Ky mural këtu tregon dashurinë dhe respektin ndaj Nexhmije Pagarushës. Keni hasur në vështirësi të shumta për realizimin e këtij projekti, nuk hezituat që të ndalni punën asnjëherë përkundër problemeve që u paraqitën. Kontributi i Pagarushës në pozitën e gruas shqipe para 50 a 60 viteve si dhe kontributet tjera që ka dhënë Nexhmija, po shprehet edhe në ditët e sotme. Kam emocione dhe dua të falënderoj të gjithë që ndihmuan në realizimin e këtij punimi”, shtoi në fund.

Nexhmije Pagarusha ikona e muzikës shqipe, është e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit./KultPlus.com

Të ngjajshme