“Heshtimë”, ekspozita që natyrshëm nxit reflektimin e të kaluarës së dhimbshme të Kosovës

21 Qershor, 2023 - 3:16 pm

Në qendër të qytetit të Prishtinës, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, është hapur mbrëmë ekspozita e rrallë “Heshtimë”, një iniciativë e OJQ Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes. Kjo ekspozitë është e shtata me radhë dhe sjell në pah një pasqyrë të thellë të të kaluarës së dhunshme të Kosovës, duke përfshirë ngjarjet e pafalshme dhe emocionet personale të njerëzve që u përfshinë në projektin “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”. Nëpërmjet historive dhe dokumenteve autentike, ekspozita na udhëheq nëpër vitet e turbullta të 1996, 1997, 1998 dhe 1999, shkruan KultPlus.

Gjatë lëvizjeve nëpër hapësirën ekspozuese, vizitorët mund të përjetonin një udhëtim emocional që i sjell ata pranë një periudhe të errët dhe të dhunshme të historisë së Kosovës. Duke kaluar përmes ngjarjeve thelbësore të kohës, shihet fuqia dhe rëndësia e historisë personale dhe kolektive. Pikturat, fotografitë dhe rrëfimet e ekspozuara shërbenin si dëshmi të fuqishme të asaj që ndodhi në të shkuarën.

Autorët e punimeve artistike, ndonëse nuk ishin profesionistë të fushës, ata kishin arritur të bëjnë një punë të jashtëzakonshme në dokumentimin e të kaluarës.

Ekspozita “Heshtimë” natyrshëm nxiste reflektimin mbi dhunën dhe pasojat e saj, duke shfaqur gjithashtu forcën e rezistencës dhe ngulmimit të njerëzve të zakonshëm për të kapërcyer tragjedinë dhe për të ndërtuar një të ardhme të ndritshme.

Emine Ismaili nga Organizata e ANP-së (Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i paqes) tha që përmes kësaj ekspozite janë munduar të shfaqin publikisht përjetimet e luftës e dhimbjet e kaluara nga këta individ.

“Në kemi gjetë mënyrën më të lehtë ta themi atë që është e vështirë të thuhet. Secili prej autorëve të veprave është kthyer prapa në kohë duke na shëtitur nëpër vitet e pas 90-tave”, theksoi Ismajli.

Gjithashtu, Ismajli foli edhe për emrin e vetë ekspozitës.

“Heshtimat për mua janë ato tri pikat e shenjave të pikësimit. Ato tri pikat që zënë shumëçka. Mund ta fusësh botën përbrenda me të githë përjetimet e veta. Janë ato dialogjet e fshehta brenda atyre përjetimeve dhe brenda nesh”, u shpreh Ismaili duke potencuar se shumëherë mbetet diçka peng, diçka që fshihet dhe heshtet e nuk thuhet, por edhe diçka që harrohet të ceket. Andaj kjo është edhe njëra ndër arsyet kyçe se pse ekspozita u emërua “Heshtimat”.

Ndërkaq, Kreshnik Osmanaj, njëri ndër autorët e veprave të realizuara në këtë ekspozitë, shpalosi disa nga ngjarjet e kaluara dhe njëkohësisht interpretoi mesazhin që ka dashur të japë me anë të punimit të tij, duke dhënë informacione më të thukëta për KultPlus.

“Përmes punimit tim kam dashur të shpreh ndjenjën e një fëmije 12 vjeçar i cili detyrohet të ndërpres lojën, braktisë shokët, shkollën duke marrë një rrugë pa kthim. Një fëmijë i cili nuk e din se nëse do të kthehet ndonjëherë në tokën, fushën e shoqërinë e vet”, shprehet Osmanaj për të cilin ajo periudhë ka qenë ndër më të vështirat e jetës së tij dhe se një përjetim të tillë nuk do t’ia donte askujt për shkak që ato pasoja ai i mbartë me vete edhe sot.

Edhe pse gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Osmanaj ka qenë në një moshë shumë të vogël, atij nuk i janë fshirë nga kujtesa ato histori por përkundrazi i janë vulosur thellë në kokën e tij për të mos harruar as edhe një detaj të vetëm.

Përmes disa fjalëve të thëna për KultPlus, ai shpalosi një ndër ngjarjet që e mban mend fort mirë sot e asaj dite.

“Më kujtohet një rast që më ka ndodhur gjatë kohës së luftës, kur ndodhesha në fshatin Zallq të komunës së Istogut. Edhe pse atëherë isha vetëm 12 vjeçar, me shtat kam qenë më i rritur dhe nëna ime më tha që të qëndrojë në fund dhe në rast se serbët na ndalojnë luaje rolin se nuk je mirë në aspektin psikik.”

Osmanaj thotë që fatmirësisht ai rast nuk ndodhi dhe se nuk i ra rasti ta luajë fare atë rol, për shkak se me shumë gjasa do të dështonte në lojën e tij dhe se sot nuk do të ishte gjallë fare.

Përtej përjetimeve të autorëve brenda ekspozitës, ka dhe shumë raste tjera jashtë saj, të cilat heshten, mbulohen ose nuk thuhen kurrë.

Ekspozita “Heshtimë” është realizuar nga pjesëmarrësit e projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” në bashkëpunim me Aksionin Kundër Dhunës dhe Ndërtimin e paqes (ANP). Gjatë ekspozitës u shpërndanë edhe disa kopje të librit “Shoh”, e cila u botua nga kjo organizatë në fund të prillit të këtij viti, në tri gjuhë të botës.

Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur deri me datën 24 qershor të këtij viti. / KultPlus.com

Të ngjajshme