Historike: Angjelin Preljocaj në Akademinë franceze të Arteve të bukura

25 Prill, 2019 - 11:38 am

Koreografi me famë botërore dhe me shfaqje në sallat e baletit dhe teatrot më të njohur në botë, Angjelin Preljocaj (fr. Angelin Preljocaj), me origjinë shqiptare nga veriu i Shqipërisë, dje është bërë pjesë e Akademisë së Arteve të Bukura në Paris, përcjellë KultPlus.

Seksioni i koreografisë aty ka 4 anëtarë, njëri ndër ta do jetë tash e tutje edhe Angjelini.

Akademia franceze e Arteve të Bukura është ndër më të vjetrat dhe më të njohurat në botë. Është krijuar në vitin 1816, si trashëgimtare e Akademisë Mbretërore të Pikturës dhe Skulpturës e krijuar nga Louigji XIV ne vitin 1648.

Angjelin Preljocaj ka vite që drejton baletin Preljocaj me të cilin prezantohen në mbarë botën, madje edhe në Bolshoi të Moskës.

Për këtë ka njoftuar profesori shqiptar në Paris, Nezir Kraki, i cili ka treguar gjithashtu për suksesin e Angjelinit në Francë.

“Gjatë studimeve në Paris kam pas fat të punoj në Teatrin Kombëtar Chaillot dhe aty çdo vit kishte shfaqje të Angjelinit (vallëzim modern). Aty edhe e kam taku sepse punoja në hyrjen (recepcionin) e personelit dhe të artistëve.

Lajmi më gëzoi sinqerisht. Pak shqiptarë e dinë sa çmohet Angjelin Preljocaj në Francë. Ka dhjetëra libra që i janë kushtu deri tash. Në teatrin Chaillot shfaqjet e tij zgjasnin zakonisht 30 ditë dhe biletat e sallës me 1500 vende shiteshin për të gjitha datat shumë kohë para shfaqjes.”, ka shkruar Kraki. / KultPlus.com

Të ngjajshme