Ikona e restauruar “Shën Maria me Krishtin” ekspozohet në muzeun “Onufri”

11 Qershor, 2022 - 1:35 pm

Në Laboratorin e Veprave të Artit të Muzeut të Ikonografisë Onufri, Berat, përfundoi restaurimi i ikonës “Shën Maria me Krishtin”.

Ikona me dimensione 68,5 x 53, x 2 cm mendohet t’i përkasë shekullit të XVII për nga stili edhe pse autori mbetet anonim.

“Kjo ikonë paraqiste shumë problematika, plasaritje dhe çarje të suportit të drurit, abrasion të pelikulës piktorike, dëmtime dhe mungesë grundi, si dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme; dyll, bojëra vaji, parafinë, bloz si dhe oksidim verniku”, bëri të ditur Qendra Kombëtare e Muzeumeve të Beratit në një postim në rrjetet sociale.

Sipas saj, të gjitha këto rrezikonin degradimin e veprës për më tepër duke mos bërë të mundur leximin e qartë dhe të plotë të skenës ikonografike të realizuar me mjeshtëri dhe elegancë nga autori.

Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, duke parandaluar degradimin e saj dhe duke nxjerrë në dukje ngjyrat e ikonës, freskinë dhe madhështinë e veprës.

Kjo ikonë e parestauruar më parë i ofrohet tashmë e restauruar publikut të muzeut “Onufri” duke pasuruar koleksionin e tij të ekspozuar.

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare po merr vëmendje çdo ditë e më shumë. Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin. /ATSH /KultPlus.com

Të ngjajshme