“Ikona mrekullibërëse e relike të shenjta të Ballkanit” ekspozohen në Korçë

10 Tetor, 2022 - 10:36 am

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në bashkëpunim me Ambasadën Bullgare në Shqipëri, organizuan dhe çelën ekspozitën, “Ikona mrekullibërëse dhe relike të shenjta nga Ballkani”.

Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, Momtchil Raytchevski, ka shprehur kënaqësinë dhe admirimin e tij për Muzeun e Artit Mesjetar, që herën e parë kur e vizitoi dhe me dëshirën dhe premtimin se do të vijonte në bashkëpunime të mëtejshme artistike dhe kulturore. Ai bëri të mundur sjelljen e kësaj ekspozite kaq të veçantë dhe një studim tepër të vlefshëm nga Instituti Sllavo-Bizantin, në Sofje, Bullgarisë, për të gjithë gadishullin Ballkanik.

Fjoralba Prifti, drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, shprehu kënaqësinë edhe në emër të stafit muzeal, për realizimin e kësaj ekspozite.

Duke iu referuar këtyre ikonave mrekullibërëse, Fjoralba Prifti shtoi së ato nuk mund të rrinin më mirë se sa në një muze të mbushur me ikona dhe objekte religjioze, mrekullisht të shpëtuara.

Ajo, njëkohësisht njoftoi se ky ishte vetëm fillimi i bashkëpunimeve kulturore, të mëtejshme me një vend mik, me kultura dhe tradita të përbashkëta si Bullgaria.

Ekspozita do të jetë pjesë e ekspozitës muzeale të përhershme për dy javët në vazhdim dhe prezanton ikona mrekullibërëse dhe objekte liturgjike, të cilat u përkasin periudhave të ndryshme historike dhe rajoneve të periudhës Post-Bizantine, Bullgarisë mesjetare, Malit Athos, manastireve Bullgarë dhe Shqipërisë, e të tjera relike të shenjta nga Ballkani. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme