Ikonat e Korçës në Francë, ekspozitë e rrallë në Muzeun e Chambéry

29 Korrik, 2025 - 5:10 pm

Një ekspozitë e veçantë do të çelet në Muzeun e Arteve të Bukura në Chambéry, Francë, ku mbi 45 vepra ikonografike të përzgjedhura nga fondi i pasur i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë do të prezantohen për publikun francez dhe ndërkombëtar.

Me një koleksion prej më shumë se 8200 objekte muzeale, nga të cilat rreth 6400 janë ikona, MKAM përfaqëson muzeun me koleksionin më të madh të ikonave në botë, një thesar i rrallë i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe më gjerë, përcjellë KultPlus.

Lajmi është konfirmuar edhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët nga maji deri në tetor 2026, në qytetin historik të Chambéry, për t’u zhvendosur më pas në një tjetër qytet të Francës, ku do të qëndrojë deri në mars 2027.

“Ky projekt është pjesë e bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Francës dhe do të përfshihet edhe në Komitetin Shkencor francez, duke forcuar shkëmbimin ndërinstitucional mes muzeve të të dy vendeve”, është shprehur ministri.

Ai e cilëson gjithashtu këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artit shqiptar, duke e afirmuar Korçën si një nga qendrat më të rëndësishme të artit mesjetar në Europën Juglindore./KultPlus.com

Të ngjajshme