‘Intertitles’,  eksplorimi nëpër normat dhe hierarkitë e zakonshme të shoqërisë përmes skicave

25 Mars, 2023 - 9:45 pm

Të enjten e 23 gushtit, në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita ‘Intertitles’ nga Bekim Zeqiri, përcjell KultPlus.

Vetë titulli ‘Intertitles’, term ky që u përdor për herë të parë në kohën e filmave pa zë, edhe në këtë ekspozitë që shfaqte piktura të mëdha me prapavijë të zezë e me skica të bardha, shfaqte në një mënyrë ose tjetër të fshehtat e skenës.

Frymëzuar nga mekanizmat e teatrit, para publikut që kishin zënë hapësirat e Galerisë Kombëtare, u paraqitën skenografi të skicuara, udhëzime skenike të shkruara në skenar dramatik dhe dialogu mes aktorëve.

Skicat e Bekim Zeqirit, ndonëse me vetëm dy ngjyra, tentojnë të eksplorojnë normat dhe hierarkitë e zakonshme të shoqërisë tonë për humorin dhe ironinë për t’i përmbysur këto konventa.

Vetë artisti Bekim Zeqiri, tha për KultPlus se duke e marrë parasysh që piktura është një prej mediumeve më të përdorura, e cila edhe  e ka definuar kulturën botërore, ai mundohet që të gjejë të jashtëzakonshmen te e zakonshmja për t’i paraqitur në pikturat e tij.

“Rrëfimi në pikturat e mia është i ndryshëm, përpiqem të kem diçka më të natyrshme, që na ikë prej momentit, diçka me të cilën jemi të mësuar dhe nuk i kushtojmë vëmendje, e ajo më intereson shumë, ajo nënvetëdija jonë. Diçka që e kemi krijuar në rutinë, diçka që është njerëzore dhe shumë e natyrshme”, tha Zeqiri duke shtuar mes tjerash se thjeshtësia vjen më shumë prej vizatimit dhe idesë së procesit të punës.

Ndërkaq, kuratorja, Carolyn London, e cila vjen për herë të parë në Kosovë, shpjegon për KultPlus konceptin e ekspozitës.

“Koncepti i ekspozitës është ‘Intertitles’ dhe kjo frazë vjen nga bota e filmit pa zë dhe kjo është një frazë që përdorej në atë kohë sepse paraprinte veprimin ose disa personazhe ose atë që do të ndodhë në skenë pa asnjë zë, pa asnjë dialog. Pra, një pjesë e madhe e asaj ndjenje pezullimi, shumë e asaj ndjesie pritje po reflektohet në këto piktura. Dhe nëse shikoni nëpër kanavacë ju do të shihni që ka karaktere që flasin frazat e tyre të vogla, fjalët e vogla të tyre.”, u shpreh London.

Ndërkaq, ju kujtojmë që të gjithë të interesuarit që duan ta vizitojnë ekspozitën ‘Intertitles’, aoj do të jetë e hapur në GKK deri më datë 20 prill 2023./ KultPlus.com

Të ngjajshme