Koleksioni i “Marubit” në Bienalen Manifesta

18 Gusht, 2022 - 9:20 am

Ekspozita e Muzeut Marubi dhe fondi i tij mbresëlënës janë pjesë e Bienales Manifesta 14, e cila po zhvillohet në Prishtinë.

“Me një koleksion prej 500 mijë negativësh që datojnë prej gjysmës së dytë të shekullit të XIX e deri në fund të shekullit XX, arkiva e Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, ka histori të panumërta për të rrëfyer”, thuhet në faqen online të Bienales.

Ekspozita mban titullin “Pjetër Marubi, një fotograf në Shqipërinë osmane” dhe është e kuruar nga Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut Marubi. Bedeni është gjithashtu autor i një studimi autoritativ të evolucionit të studios, qe e vështron historinë e Marubit nëpërmjet lenteve të migracionit.

“Pietro Marubbi, një fotograf në periudhën osmane në Shqipëri” paraqitet në Muzeun Etnologjik në Prishtinë deri më 30 tetor 2022.

Materialet e përzgjedhura për këtë ekspozitë, janë instaluar në një banesë me arkitekturë orientale, që kujton stilin e strukturës ku Marubi ndërtoi studion e tij fotografike.

Koncepti kuratorial i ekspozitës ashtë i bazuar në një përzgjedhje imazhesh që na tregojnë edhe për marrëdhëniet ndërmjet refugjatëve italiane në Shkodrën e shek. XIX.

Manifesta, Bienalja Europiane e Artit Bashkëkohor, e ndryshon vendndodhjen e saj çdo 2 vjet. Kjo bienale përpiqet të qëndrojë larg atyre që njihen gjerësisht si qendra që prodhojnë art, duke e kërkuar atë në terrene të freskëta e më të begata. Kjo është dhe njëra nga arsyet përse u përzgjodh Prishtina për edicionin e saj të 14-të. /KultPlus.com

Të ngjajshme