Kosova në MoMA me modelin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

3 Shkurt, 2018 - 2:40 pm

‘Towards Concrete Utopia​ / Arkitektura në Yugosllavi mes viteve 1948–1980’ është ekspozita më e madhe e arkitekturës jugosllave, që këtë verë hapet në Muzeun e Artit Modern – MoMA në New York.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, konsulent kuratorial i kësaj ekspozite, ka konfirmuar që në këtë ngjarje të madhe të arkitekturës, mes tjerash përfshihet edhe modeli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me arkitektin kroat Andrija Mutnjakovic.

Kjo ekspozitë eksploron temat e urbanizimit, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe filma nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe të muzeve në të gjithë rajonin. Në të tregohen edhe punët e arkitektëve të rëndësishëm të kohës, si Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe
Milica Šterić.

Vëmendje e posaqme i është dhënë Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, projektit të rindërtimi i qytetit të Shkupit, në bazë të dizajnit metabolist të arkitektit japonez Kenzo Tange si dhe shtesës së qytetit Beogradi i Ri.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë, është monument i trashëgimisë kulturore. E ndërtuar në vitin 1973-81, kjo biblotekë është dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic. Si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe kupolave që i takojnë tipit të arkitekturës “regjionalizmi i ri”.

Ndërtesa është katërkatëshe me sipërfaqe prej 16.500 m², prej të cilave 13.500 m² sipërfaqe të shfrytëzueshme. Në pikëpamjen kompozicionale biblioteka veçohet si tërësi kubesh të mbështjella me membranë skeletore çeliku, e cila në kombinim me ndriçimin zenitor të realizuar përmes kupolave, krijon një sistem ndriçimi që siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar.

Në vitin 2016 Fondacioni Kosovar i Arkitekturës u shpërblye me grantin “Keeping it Modern” nga Getty Foundation për ta përpiluar Planin e Konzervimit dhe Menaxhimit të ndërtesës. Sipas Bekim Ramkut, qe poashtu drejton kete fondacion, fakti që Biblioteka Kombëtare do të paraqitet në këtë ekspozitë në MoMA, do kontriboj edhe më shumë në promovimin e arkitekturës moderne Kosovare jasht vendit e në vecanti objektit të Bibliotekës Kombëtare që fatkeqësisht është në gjendje jo të mirë dhe e neglizhuar. / KultPlus.com

Të ngjajshme