Kostumografia Anila Zajmi: Veshjeve shqiptare i kanë bërë deformime të tmerrshme

23 Shkurt, 2023 - 2:44 pm

Kostumografia, Anila Zajmi është edhe një hulumtuese e kërkimit të metodave të vjetra, pasi ka bërë edhe një kërkim artizanal të mënyrës se si krijohet plisi, të cilin e ka kthyer edhe në fashion.

E ftuar në “Pas Mesnate” në ABC News, ajo ka deklaruar se ka marrë përsipër të bëjë një studim për teknikat artizanale të realizimit të veshjeve shqiptare, pas deformimeve të tmerrshme që janë bërë.

“Një nga studimet e mia të fundit kanë qenë teknikat artizanale të realizimit të veshjeve shqiptare. Kjo ka qenë një nevojë të cilën unë e ndjeja duke parë kostumet e realizuara shumë keq në periudhën e fundit, deformime të tmerrshme, që janë më mirë të mos bëhen sesa të bëhen në një formë të tillë, sepse krijohen prototipe në kokën e një njeriu që kostumi është ky”, tha ajo.

Më tej, Anila dha dhe një mesazh për artistët e rinj që duan të ecin në gjurmët e saj, duke u shprehur:

“Është shumë e rëndësishme të kesh respekt për veten tënde, për atë që mund të bësh, jo për atë që nuk mund të bësh. Edhe në qoftë se shikon te vetja, te rrënjët, patjetër që do të shikosh përpara, do të shkëlqesh”./ KultPlus.com

Të ngjajshme