Kozlov fiton çmimin e Istanbul Photo Awards 2023

16 Qershor, 2023 - 2:03 pm

Fotografia e fotografit të agjencisë fotografike EPA, Sergey Kozlov, e titulluar “Lufta Ukrainë-Rusi”, fitoi çmimin e Fotografisë së Vitit në Istanbul Photo Awards, edicionin e nëntë të konkursit vjetor ndërkombëtar të fotografisë të organizuar nga Anadolu Agency (AA) për të mbështetur fotoreporterët.

Konkursi është tani një platformë e përhapur globalisht me më shumë se 16 000 përdorues ndërkombëtarë.

Një juri prestigjioze u mblodh online dhe zgjodhi fotografitë fituese për Istanbul Photo Awards 2023.

Fotografia e Kozlovit u zgjodh fituese mes më shumë se 21 000 fotografive të dorëzuara nga vende të ndryshme të botës.

Fituesit u zgjodhën nga fotografi që mbuluan ngjarjet globale të vitit të kaluar, të tilla si lufta Ukrainë-Rusi, incidentet në Territoret Palestineze, presionet e administratës talebane, trafikimi i fëmijëve në Nigeri, ndryshimet mjedisore, studimet e botës së egër në Tajlandë, Kupa e Botës në Katar, ndeshjet portugeze me dema, akullthyesit e Arktikut si dhe përditshmëria e albinëve afrikanë.

Juria ndërkombëtare deklaroi se cilësia e fotografive të dërguara ishte shumë e lartë dhe kishin vështirësi të mëdha në marrjen e vendimit në eliminimet e bëra në platformën e përgatitur enkas nga ekipi i Teknologjive të Informacionit të AA-së.

Këtë vit, 29 fotografë morën çmime në dhjetë kategori në konkursin e mbështetur nga Nikon, Agjencia Turke e Bashkëpunimit dhe Koordinimit (TIKA) dhe Turkish Airlines (THY)./ atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme