Kronisti metaforik i peizazheve

25 Gusht, 2023 - 10:00 am

Në Galerinë “Artistët për artistë” në Prishtinë , nga data 15 gush deri më 26 gusht 2023 , piktori Arsim Kajtazi organizoi ekspozitën personale me 54 piktura, duke pasur për qëllim që në këto ditë vere, kur Kosovën e mësyjnë mërgimtarët tanë, po edhe artdashësit e tjerë, të shijojnë diçka të bukur edhe nga arti i krijuar në  vendlindje. Në hapje dhe gjatë ditëve në vijim pati mjaftë vizitorë, që shijuan vlerat e ekspozuara me këtë rast.

Po u sjellim fjalën e hapjes nga piktori e pedagogu i njohur Musë Prelvuakaj që para shumë vizitorëve shpalosi disa nga vlerat krijuese pikturale të Kajtazit, të prezantuara edhe në këtë ekspozitë:

Arsim Kajtazi është artist i gjithanshëm me një karrierë të pasur artistike, i cili që disa decenie krijon në pikturë, vizatim, grafike, kritikë arti dhe letërsi. Ka shumë vite që e njoh krijimtarinë e tij artistike, duke e përcjellë punën e tij krijuese nga afër dhe nga distanca, prandaj e ndiej të nevojshme ta bëj një shkrim modest, simbolik vetëm për një pjesë të veprave nga opusi i gjerë krijues .

Sot në Galerinë e artit të asociacionit “Artistët për artistë” Kajtazi vjen me ekspozitën e radhës, ku na paraqitët me disa risi, por edhe me disa vepra të viteve të fundit,  që edhe opinioni profesional dhe artdashës mund ta shohë piktorin me karrierë të suksesshme shumëvjeçare i njohur në Kosovë, Shqipëri dhe në viset tjera shqiptare, por edhe në disa vende të Evropës.

 Këto vepra burojnë nga thellësia shpirtërore e artistit, të cilat i ka realizuar me përkushtim dhe profesionalizëm, e në veçanti veprat e viteve të fundit. Natyra me bukuritë e veta magjepse është e dashur për të gjithë ne, por edhe e mistershme, ku autori sikur gjënë më shumë se pamjet , në veçanti kur futet në brendi të saj për të hulumtuar dhe zbërthyer format e ndryshme irreale dhe reale në hapësirën imagjinare . Duke u paraqitur me një numër të konsideruar të pikturave artisti në këtë hapësirë ekspozuese na sjellë një mori pamjesh si: fushat, sukat, kodrat, malet, bjeshkët e bardha-alpine, gryka, ujëvare, vendbanime rurale dhe urbane me pamje të transponuara artistikisht, të analizuara me kujdes, ku mund të konstatojmë se janë preokupime dhe frymëzime të përhershme në krijimtarinë e tij artistike. Peizazhet në telajo nuk janë thjeshtë piktura vetëm për t´i joshur sytë, por janë krijime me tematikë simbolike me forma metaforike përmbajtjesore. Nga puna e bërë shohim se autori i qasët veprës me seriozitet gjithnjë me synim kërkues që frymëzimet dhe ndjenjat e veta t´i vejë në telajo për t´iu dhënë pikturave vlera të qëndrueshme artistike, duke mos u lëshuar asnjëherë në imitimin e natyrës! Autori nga natyra zgjedh dhe nxjerr pamje karakteristike të çdo visi dhe stine. Në kompozicion përveç formave konkrete i shton edhe disa elemente tjera abstrakte, ku shumica e tyre janë në lëvizje të shprehura kryesisht me ngjyra harmonike, duke i dhënë ndonjë aksent me ngjyra kontrasti, me qëllim që vepra të bëhet më dinamike. Këto peizazhe lirike-epike me shprehje impresive-ekspresive janë me përmbajtje autoktone që duhet shikuar disa here për të hyrë më në thellësi, për të arritur deri të analiza studimore. 

Autori është i kujdesshëm ndaj kërkesave të kohës me qëllim për të ecur paralel me trendët e zhvillimit të artit bashkëkohor. Me shembullin vetë krijues-hulumtues shohim se përmes veprave na ofron edhe mënyra të tjera alternative të realizimit, për t´u shpreh më lirshëm në pikturë.

Në krijimtarinë e bujshme shumëvjeçare Kajtazi arrin t´i bëjë disa cikle të veprave, ku protagonist e ka njeriun me preokupime të ndryshme nga përditshmëria jonë e vështirë: me mundime, dhembje, por edhe me gëzime në eksterier dhe enterier, ashtu siç e ka jeta. Pra autori nuk është i qetë ku në shpirt i kanë mbetur vragë nga përjetimet e regjimeve antishqiptare, në veçanti nga lufta e fundit, që rezultoi me mija viktima, dhunime, shkatërrime, dëbime të shqiptarëve nga trojet e veta etnike, në anën tjetër në mënyrën e tij e paraqet luftën për ekzistencë dhe vendosmërinë e rezistencës dhe gjakimin për liri, mbështetur në sakrificën sublime të djemve dhe vajzave për të rezistuar e sakrifikuar të ndihmuar nga aleatët tonë për ta çliruar vendin.

Si artist me ndërgjegje dhe përgjegjësi ka pikturuar dhe riregjistruar pamje me ngjarje të ndryshme dhe fenomene tjera nga vendi dhe mund të konstatojmë pa ngurrim se artisti është njohës i mirë i rrethanave, një kronik faktik i ngjarjeve të kohës në artin modern. Autori krijon lirshëm në teknika të ndryshme të artit pamor: akuarel, olio, akrilik, tush i laviruar, karbon, ku tregon se i zotëron mirë teknikat nga teknologjia e artit bashkëkohor. Kajtazi i shkrin dhe i kombinon ngjyrat për mrekulli sa që në tejdukshmërinë llazure edhe në mjegull mund ti shohim disa ngjyra tjera të integruara. Në hapësirat infinite zënë vend figurat konkrete, gjysmë konkrete dhe abstrakte, të paraqitura në perspektivë të saktë lineare.

Përveç peizazheve të realizuara me forma të ndryshme në anën tjetër e kemi shumëllojshmërinë e veprave me teknika tjera që edhe më shumë e pasurojnë artin e vetë origjinal. Përveç pikturimit ai bënë vizatime me teknika të ndryshme si skica, krroki,  duke paraqitur peizazhe, portrete, nudo, ku me kreativitet kalon në abstraksion, duke përdorur mbi vija tushin e laviruar, duke nxjerrë nuanca me shumësinë e vijave të kualiteteve të ndryshme, për ta fituar plastikën e formave. Autori me kombinimin e brushës dhe pendës i realizon me shkathtësi disa skica me ngjyra bardh e zi. Me materiale të ndryshme si lapsi, tushi i bënë disa krijime të veçanta por edhe ndonjë skicë për projektet e veprave  më komplekse.

Për krijimtarinë e  Arsim Kajtazit  kanë shkruar disa kritikë arti, në vend dhe jashtë vendit, ku ka ekspozuar, dhe veprimtarinë krijuese të artistit e kanë vlerësuar lartë. / KultPlus.com

Të ngjajshme