Muzeu Historik Kombëtar çel ekspozitën “Ikonat e Diço Zografit”

1 Qershor, 2021 - 6:29 pm

Sot, Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i rëndësishëm i memories kombëtare çeli ekspozitën me temë “Ikonat e Diço Zografit”. Ekspozita përmban 12 ikona të ikonografit Diço Zografi, të cilat ekspozohen për herë të parë, “Dyert e Bukura” të ikonostasit të kishës së Shën Kollit në Elbasan, si edhe disa objekte prej ari dhe argjendi: një kryq, mbulesa ikonash, kapakë ungjilli etj.

Në fjalën e saj Ministrja e Kulturës, Znj. Elva Margariti u shpreh mirënjohëse për këtë ekspozitë që organizohet në kuadër të gjithë aktiviteteve që po ndërmerren në Muajin e Europës në të gjithë Shqipërinë për të kremtuar të gjithë identitetin europian të kombit tonë. “Kjo ekspozitë e sotme ka qenë e shumëpritur dhe e mirëpritur sepse kemi një histori që patjetër duhet shpalosur dhe mbart në vetëvete gjithë elementët që pasqyrohen. Kemi thesare pa fund në të gjithë muzetë tanë dhe patjetër që ky është një model ideal i Europës dedikuar jo vetëm njohjes së identitetit, por edhe të bukurës shqiptare.

Kam ndjekur me vëmendje gjithë materialin e përmbledhur në këtë ekspozitë dhe e them me krenari që janë copëza të historisë tone, të cilat fatkeqësisht janë lënë në harresë, por këto vitet e fundit gjithmonë e më tepër i është kushtuar vëmendje. Mjafton të përmendim Muzeun e Artit Mesjetar, që ka hedhur kaq shumë dritë mbi këtë pjesë të historisë sonë dhe ka krijuar një jehonë tejet pozitive edhe jashtë kufijve tanë. Mendojmë që kjo ekspozitë sado e vogël do të hedh një hap drejt një bashkëpunimi edhe me ekspertë të huaj dhe do të jetë pjesë e një koleksioni, që do të fillojë me restaurimin e nevojshëm të ikonave në laboratorin e Muzeut të Artit Mesjetar. Ta katalogojmë edhe në aspektin digjital, pra të përfundojmë atë punë që e kemi filluar dhe nuk do të mbarojë asnjëherë, duke pasur parasysh të gjitha koleksionet që kemi. Uroj që ky të jetë një moment i parë me njohjen e kësaj figure, duke shkuar përtej mistikes që ai prezanton dhe mbi të gjitha për t’ua bërë të njohur të rinjve”, përfundoi ajo.

Në fjalën e tij Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha: “Piktori për të cilin flasim sot, Diço Zografi vitin e kaluar kishte 200 vjetorin e tij të lindjes, që u festua në Maqedoninë e Veriut, ku ka edhe pjesën e tij më të madhe të koleksioneve. Në një konferencë të organizuar nga Akademia e Shkencave në Maqedoninë e Veriut ku morën pjesë edhe specialistë të Muzeut Historik Kombëtar ne zbuluam që kemi një trashëgimi jo të vogël, por mbi të gjitha duke e ditur se e bukura dhe arti janë dy eksponentë kryesor të Bashkimit Europian kuptojmë se kemi një të kaluar të përbashkët me të gjitha vendet tona fqinje shkojmë drejt një solidariteti të përbashkët europian. Do t’ju ftoja ta shikonit me interes ekspozitën, e cila është e kuruar nga stafi i Muzeut Historik Kombëtar. Nuk dua të lë pa falënderuar këtu Ministren e Kulturës, e cila në bazë të programit “EU for Culture” ka bërë të mundur, që të nisin punimet për restaurimin e Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, që me rastin e 40 vjetorit të institucionit do arrijmë ta përfundojmë”./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme