Lubaina Himid, gruaja që befasoi artin botëror

8 Janar, 2018 - 10:00 pm

Lubaina Himid, artistja e cila krijon vepra teatrale, të mprehta dhe sfiduese, që e adresojnë historinë koloniale, racizmin dhe padukshmërinë institucionale, befasoi botën artistike duke fituar Çmimin Turner në 2017.

Ajo është gruaja e parë me ngjyrë dhe më në moshë (63 vjeç) që e ka fituar këtë çmim me traditë 33 vjeçare, pasi vjet u ndryshua kufiri maksimal moshor që deri më tash ishte 50 vjeç.

Është artiste e cila është injoruar dhe nënvlerësuar gjatë pjesës më të madhe të karrierës së saj.

Prej 4 dhjetorit – kur gjatë një ceremonie në Hull u dha lajmin për fitoren e saj – kjo gjë ndryshoi.

U lind në Zanzibar, në Tanzani, dhe si fëmijë shkoi në Angli pasi nëna e saj ishte nga Blackpool, ndërsa u rrit në Londër.

Tash jeton në qytetin e vogël Preston.

Himid i ka falënderuar të gjithë njerëzit të cilët e kanë ndihmuar të mbijetojë gjatë “viteve të egra”.

“Veprat e mia nuk janë injoruar nga kuratorët dhe artistët, por unë nuk kam qenë e pranishme në media mbase për shkak se puna ime ishte tejet e komplikuar për të diskutuar mbi të”.

“Supozoj se çështjet të cilat i trajtoja ishin komplekse, shumështresore, kurse gazetat duhet të shiten”.

“Fitimi i këtij çmimi ka rëndësi të madhe për mua”.

“E kam fituar për të gjitha ato kohëra kur i vendosnim kokat mbi mure, kur përpiqeshim të bënim gjëra por dështonim, njerëzit kanë vdekur ndërkohë… Për të gjitha gratë me ngjyrë të cilat asnjëherë nuk e kanë fituar këtë çmim, ndonëse kanë hyrë në rrethin e ngushtë… Për këtë arsye, është ndjenjë e mirë”.

Bashkë me çmimin, Himid i ka fituar 25.000 funte, para të cilat do t’i harxhojë për të blerë vepra të artistëve tjerë, dhe ndoshta, një palë këpuca të çuditshme, njofton Klan Kosova.

Alex Farquharson, drejtor i Tate Britain dhe kryetar i panelit vlerësues, ka deklaruar se Himid ka realizuar vepra kurajoze që adresojnë çështje “të vështira, të dhimbshme”.

Ajo ka fituar për shkak të tri ekspozitave me veprat e saj në Bristol, Oxford dhe Nottingham.

“Këto ekspozita së bashku kanë ofruar një përmbledhje të mrekullueshme të punës së saj në dekadat e fundit dhe e kanë zbuluar sa vitale është puna e saj në momentin aktual”, ka thënë Farquharson.
Çmimi Turner është njëri ndër çmimet më të njohura të artit bashkëkohor në botë dhe ka për qëllim “ta promovojë debatin publik mbi zhvillimet e reja në artin bashkëkohor britanik”.

Ka pasur edhe kritika ndaj Himid nëse koleksioni i saj ishte në përputhje me misionin e çmimit, për arsye se përfshin vepra që nga viti 1987.

Mirëpo, Farquharson ka pohuar se e gjithë puna e Himid, pa marrë parasysh nëse është e viteve 1980 apo e tashme, veçanërisht sot është “kumbuese dhe relevante”.

Sipas tij, shumë nga veprat e saj duket se kanë marrë më shumë kuptim dhe njerëzit ishin më të gatshëm për to.

“Ato i flasin momentit të tashëm, i cili në Britani dhe në Amerikë është moment i ndarjes”.

Vepra nga viti 1987, e cila është e shfaqur në Ferens Gallery, në Hull, qytet i cili është nikoqir i Çmimit Turner në gamën e festimeve si Qytet i Kulturës, është një set i madh dhe i mbushur përplot me figura të drurit dhe të copëzave të prera nga mediat e ndryshme, inspiruar nga “Marriage A-la-Mode” e William Hogarth. Është lehtë për t’ia ditur datën për shkak të përfshirjes së Margaret Thatcher dhe Ronald Reagan.

Një vepër tjetër nga viti 2007 paraqet enët e tavolinës me skena të skllavërisë nga historia koloniale e Britanisë.

Në një mur tjetër paraqiten faqet e shqyera të gazetës Guardian, ku shihen njerëz me ngjyrë.

Artistja i konsideron këto faqe si stereotipizime të pavetëdijshme racore dhe pikturon mbi to.

Lista e ngushtë e kandidatëve përfshinte piktoren Hurvin Anderson, regjisoren Rosalind Nashashibi, skulptoren Andrea Büttner, etj.

Himid është profesoreshë e artit bashkëkohor në Universitetin Central Lancashire.

Fituesit e mëhershëm të Çmimit Turner janë Rachel Whiteread, Damien Hirst, Grayson Perry, Jeremy Deller dhe, vitin e kaluar, Helen Marten./klan kosovoa

Të ngjajshme