“Magjia e gramafonit” vjen për herë të parë para publikut

24 Janar, 2018 - 9:50 am

“Magjia e gramafonit”, me gramafonët dhe revistat e Fonotekës së Arkivit Qendror Shtetëror është dhe ekspozita e përbashkët e Muzeut Historik Kombëtar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, e cila u çel për publikun.

Në vitin 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSH-së mbi 18,000 pllaka gramofoni, 20 gramofonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka. Kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSH si sektor i zgjeruar. Objektet ruhen në Fonotekën e AQSH dhe përveç një katalogu të lëndës muzikore, asgjë tjetër nuk i është bërë e njohur publikut.

Çelja e ekspozitës “Magjia e gramafonit” bëri të mundur që në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të lancohej muzikë popullore shqiptare, regjistruar në disqe të një teknologjie që prej vitesh nuk ekziston më dhe transmetuar po nga gramafonë një pjesë e të cilëve datojnë si prodhim që para viteve të Luftës së Dytë Botërore. Gramofonët që janë ekspozuar mosha e të cilëve shtrihet përgjatë një shekulli duke filluar nga 1903 do të qëndrojnë për një javë në MHK.

Në këtë ekspozitë për herë të parë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramafonave, si dhe disa disqe gramafoni, LP dhe vinyl-e. Pllaka gramafoni të hershme me zërin e tenorit të famshëm Enriko Karuzo, i cili ka qenë ndër të parët që ka regjistruar disqe, disqe me zërin e Aleksandër Moisiut, monologun e “Makbethit”, zëri i Ëinston Churchill është në këto pllaka gramafoni. Përmes kësaj ekspozite AQSH shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve. Pjesë e dhuratës së vitit 1986 ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramafonit dhe muzikës, disa prej të cilave do të ekspozohen pranë koleksionit të gramafonëve.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm vijimin e bashkëpunimit duke theksuar gjithashtu se ekspozita të tilla të bëjnë të kuptosh se si ka qenë jeta sociale e shqiptarëve.

“E kemi filluar këtë bashkëpunim edhe më herët siç ishte ekspozita e vulave të shtetit shqiptar, po e vijojmë me ekspozitën e gramafonave dhe shpresojmë të ketë edhe ekspozita të tjera për të nxjerrë në pah vlerat e trashëgimisë tonë kulturore, historike, muzeale që ndajnë dy institucionet”, tha ndër të tjera Dorian Koçi gjatë fjalës së tij të rastit në çeljen e ekspozitës “Magjia e gramafonit”.

Bashkëpunimi AQSH dhe MHK

Po në të njëjtën mendim edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido u shpreh se Shqipëria është një vend i pasur me trashëgimi kulturore, duke shtuar se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të vazhdojë me qëllim që objektet muzeale, që janë pronë e arkivit, të mund të dalin në dritë dhe të njihen nga publiku pikërisht nëpërmjet ekspozimit në një vend atraktiv siç është Muzeu Kombëtar.

“Ka pasuri që janë ekspozuar shumë rrallë, por shumica asnjëherë” u shpreh Ardit Bido.

Aktiviteti i fundit mes dy institucioneve mund të jetë dhe referenca më e mirë për të rrëfyer se mes Muzeut Historik Kombëtar dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave bashkëpunimi është intensifikuar. E duket se kjo merr më shumë vlerë kur aktiviteti anonçohet në kuadër të veprimtarive të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, shkruan SotNeës. Një marrëveshje e nënshkruar, të paktën dy muaj më parë, parashikon që në muze të ekspozohen dokumente origjinale, por dhe objekte muzeale, pjesë e pasurisë së Arkivit Qendror Shtetëror./ KultPlus.com

Të ngjajshme