Marigona Toma prezanton punimet e saj në ekspozitë në mesin e 38 artistëve nga Zvicra

4 Maj, 2021 - 3:43 pm

Era Berisha

Marigona Toma është shqiptarja e vetme që është përzgjedhur nga Komuna Flamatt-WünneWil për shpalosjen e punës së saj në një ekspozitë ku do të marrin pjesë gjithsej 38 artistë nga Zvicra, shkruan KultPlus.

Artistja e njohur për prezantimin e saj me koleksionin e syve, kësaj radhe është identifikuar po njëlloj edhe në ekspozitën në të cilën do të jetë pjesëmarrëse. Koleksioni i saj i syve shpalos një mesazh mjaft të fortë pasi që sipas saj sytë janë pasqyrë e shpirtit dhe përmes tyre shprehen gjëra që përmes fjalëve nuk mund të shprehen.

“Sytë bartin në vete histori të ndryshme për çdo njeri, coftë ajo e gëzimit, pikëllimit apo lumturisë”, thotë Marigona për KultPlus

Artistja gjithashtu ka bërë të ditur se kjo nuk është pjesëmarrja e saj e parë në ekspozita në Zvicër por që kësaj here ajo krejt rastësisht ka dëgjuar nga një mike se do të realizohet një ekspozitë me përfshirjen e artistëve të ndryshme.

“Thjesht formova kërkesën dhe pastaj dërgova punimet ku pata rastin të marrë një përgjigje të menjëhershme dhe mjaft pozitive”, thotë Toma për KultPlus.

Bagazhi i saj përfshin numër të madh të punimeve të cilat depërtojnë thellësisht në një gërshetim të mahnitshme të ngjyrave. Ndërsa, përzgjedhja e punës së saj është realizuar nga caktimi i disa kritereve të vogla dhe koha e realizmit të pikturave që ka ndodhur brenda katër mureve të një dhome e cila ishte në dispozicion për artisten shqiptare.

Planet e mia për të ardhmen përfshijnë mjaft vizione të cilat përfshijnë një horizont të gjerë, por që për shkak të situatës pandemike disa aktivitete siç janë dy ekspozita të menduara, por që fatkeqësisht janë anuluar. Prandaj, shpresoj se kjo gjendje e vështirë të kalojë sa më shpejtë sepse edhe kjo ekspozitë është një mundësi e mirë e shprehjes së artit tim”, përfundon Toma.

Kjo ekspozitë do të realizohet në Zeughaus në Flamatt/Fribourg dhe hapet më datë 18 e deri më 27 qershor të këtij viti. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme