Marubi sjellë “Arkivi Marubi. Rituali fotografik”

1 Nëntor, 2018 - 2:00 pm

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” hapë ekspozitën “L’archivio Marubi. Il rituale fotografico” (Arkivi Marubi. Rituali fotografik) në La Triennale di Milano, përcjell KultPlus.

Kuratori ka përzgjedhur rreth 170 fotografi prej autorëve më të njohur të koleksionit. Imazhet që do të shfaqen janë shkëputur prej vazhdës së formuar nga fotografët, të yjëzuar prej shkrepjeve të tyre e të shkëputura prej vetë vazhdës së jetës.

Bashkësia e këtyre gjurmëve dhe fragmenteve të jetës të shkëputura nga fluksi i përditshmërisë, ndërton një narracion përmes fotografisë, një rrugëtim përmes vendeve, fytyrave, marrëdhënieve njerëzore që hetojnë ritet e kalimit, që në shekuj u fiksuan nga rituali fotografik. Fotografia si ritual na ka lejuar të gjurmojmë komunitetin e historitë e tij të shumta me dëshirën për t’i dhënë publikut shijen e një realiteti shumëformësh e eklektik.

Ekspozita hapet më 16 nëntor me fillim nga ora 11:30 ndërsa biseda me kuratorin do të zhvillohet po atë ditë me fillim nga ora 18:00.

Kjo ekspozitë organizohet nga Muzeu Marubi në kuadër të kalendarit të “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeu” në La Triennale di Milano, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Museo di Fotografia Contemporanea dhe Ambasadën e Shqipërisë në Itali./ KultPlus.com

Të ngjajshme