Mbyllet thirrja e parë e punëtorisë “Pen For Culture” me ekspozitë dhe tinguj muzikor në KultPlus Caffe Gallery

10 Nëntor, 2019 - 10:18 pm

Qendrim Badalli

Sot në orën 14:00 grupi i të përzgjedhurve për punëtorinë “Pen For Culture”, në fushën e pikturës, u nisën nga Prevalla për në Prishtinë ku kishin qëndruar tri ditë në kuadër të këtij projekti të impelemtuar nga ProPlusi dhe të financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, shkruan KultPlus.com

Të njëjtit do të mblidheshin përsëri sonte në orën 19:00, për t’i prezantuar punimet e tyre në një ekspozitë të përgatitur enkas për ta në hapësirën e KultPlus Caffe Gallery. E gjithë mbrëmja e sotme u përcoll nën performacën e shkëlqyer të Plator Gashit, i cili dhuroi atmosferë argëtuese gjatë gjithë kohës.

Në një fjalë rasti, drejtoresha e KultPlus-it, Ardianë Pajaziti, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.

“Faleminderit të gjithë të rinjve dhe prindërit e tyre që i kanë besuar këtij projekti tonë që për tri ditë ta realizojmë këtë punëtori së bashku me Zake Prelvukaj”.

Tutje, ajo ka falënderuar financuesit e projektit si dhe ka folur shkurt edhe për thirrjen tjetër.

“Projekti është financuar nga Ambasada e SHBA -së në Kosovë, të cilit i falënderojë shumë, dhe është implementuar në kuadër të organizatës joqeveritare ProPlus në bashkëpunim me KultPlus-in. Pas kësaj ekspozite ne do ta hapim thirrjen për ese”.

Në fund, Pajaziti ka falënderuar edhe profesoreshën  Prelvukaj.

“Unë dua ta falënderoj jashtë mase edhe Zake Prelvukaj që ka besuar tek puna jonë, tek puna e këtyre të rinjve. Shpresoj se të gjithë keni kaluar shumë mirë”, ka thënë ajo.

Profesoresha universitare, Zake Prelvukaj, e cila ka qenë drejtuesja e kësaj punëtorie ka folur për përshtypjet e saj për të rinjtë në këtë projekt.

“Pata rastin të takojë fëmijë të cilët, me vizionin që kanë do të rrugëtojnë shumë gjatë. Fëmijë shumë të mençur, që kishin me dhënë kritika por edhe që pranonin kritika”.

Ajo më pas ka përshkruar edhe punimet e tyre në aspektin profesional artistik.

“Asnjëri nga punimet nuk është i njëjtë. Asnjëri nuk i përket artit statik, asnjëri nuk i përket artit jo filozofik, asnjëri nuk e ka marrë artin vetëm për ta paraqitur një lule”, ka thënë Prelvukaj, e cila, fjalën e ka mbyllur me një falënderim të veçantë për KultPlus-in.

“Faleminderit të gjithëve, faleminderit edhe KultPlus-it që bënë aktivitete të shkëlqyera dhe për vetëdijesimin për mos harrimin e kulturës sonë, trashëgimisë kulturore, dhe që bënë një lidhje mes të kaluarës së tashmes dhe na tregon rrugën për të ardhmen kah të shkojmë”.

Erika Arllati, njëra nga të rejat pjesëmarrëse në këtë punëtori, ka shprehur përshtypjet e saj si dhe ka folur për dallimin e këtij organizimi nga organizimet tjera ku ajo ka qenë më parë.

“Dallimi i këtij organizimi nga organizimet tjera është se në ata organizime ku unë kam qenë më herët kanë qenë më të ftohta, ku nuk ke qenë krejt në rregull me veten, përderisa kjo ka qenë ma e ngrohtë, prej nxënësve, prej profesoreshës, prej organizatorëve dhe ka qenë një eksperience shumë ma e lezetshme për dallim nga eksperiencat e tjera që kam pasur”.

Lemane Muriqi, nëna e Jonlia Muriqit, njërës nga pjesëmarrëset në këtë punëtori ka treguar për aplikimin e vajzës së saj.

“Më ka pëlqyer fillimisht mënyra se si është bërë aplikimi, pra ka qenë aplikim i hapur. Kur vajza ime morri përgjigjen pozitive ka qenë një dhurata shumë e madhe, një befasi që na ka pëlqyer qysh në fillim kur kemi kuptuar se do të realizohet përmes KultPlus-it, në të cilin kemi besim shumë, dhe ishte fat i mirë që pjesë e kësaj punëtorie ka qenë profesoresha Prelvukaj”.

Pas përfundimit të thirrjes së parë në fushën e pikturës, thirrja e dytë do të jetë në fushën e eseve dhe Redaksia e KultPlus-it do të ketë kënaqësinë që të vazhdojë edhe më tutje me realizimin e projektit “Pen For Culture”.

Ky projekt është financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Të ngjajshme