Me 13 tetor, bisedë me Eno Koçon në Art House

9 Tetor, 2019 - 6:59 pm

MUZIKA TRADICIONALE DHE E KULTIVUAR NË SHKODËR
 
                                          Bisedë me Eno Koço
     
                                        E diel 13 tetor, ora 18:00

Art House organizon një cikël bisedash me të ftuar të fushave të ndryshme duke krijuar kështu një hapësirë diskutimi ku secili sjell eksperiencat e përjetimet e veta.

I ftuari i parë është dirigjenti Eno KOÇO. Ka punuar si dirigjent i Orkestrës Simfonike të RTSH në periudhën 1977–1978 kur veç koncerteve simfonike e vokale bëri mjaft regjistrime të këtij repertori e të muzikës së filmave. Dirigjoi këtë orkestër në turnetë në Jugosllavi (1979) e Turqi (1983) si dhe drejtoi Orkestrën Simfonike të Kajros, Egjipt (1986). Nga viti 1992 punoi për 19 vjet si dirigjent i Filarmonisë së Universitetit të Leeds-it, Angli, si dhe bashkëpunoi me një radhë orkestrash dhe koresh lokale të Anglisë së Veriut. Bashkëpunime dirigjioriale ka mbajtur dhe me Teatrin e Operës të Tiranës, Teatrin e Operës të Shkupit, Filarmoninë George Enescu të Bukureshtit, Akademinë Muzikore të Wroclav-it, Filarmoninë e Kosovës etj. Me regjistrimet e tij me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar midis viteve 1979–1991 si dhe më 2012 ka emetuar shtatë CD (gjatë 2005–2016) të veprave simfonike, vokale e instrumentale në ekzekutimin e instrumentistëve e këngëtarëve shqiptarë.
Mbrojti doktoratën (PhD) në Leeds, Angli, më 1998 me temën ‘Kënga lirike qytetare shqiptare në vitet 1930’. Mbi muzikën shqiptare ka mbajtur leksione në universitete dhe qendra kërkimore të ndryshme si Limerick, Leeds, Londër, Palermo, Bologna, Cagliari, Tbilisi, Strugë, Tiranë dhe Selanik. Është autor i një serie librash e artikujsh studimorë mbi muzikën shqiptare të botuara në Shqipëri, Angli, ShBA, Itali, Maqedoni e Gjeorgji, mes tyre Kënga lirike qytetare në vitet 1930 (Scarecrow Press, 2004), Udhëtim i isos vokale (Cambridge Scholars Publishing, 2015), Enciklopedia ‘Bloomsbury’, vol. 11 (2017), Këngët dhe muzika tradicionale e krahinës së Korçës (Cambridge Scholars Publishing, 2018). Mban titullin ‘Artist i Merituar’ (1984) ‘Profesor i Asociuar’ (2005) dhe urdhrin Nderi i Kombit (2017).

Të ngjajshme