“Më njih përtej fjalëve”, ekspozita me punimet artistike të të mbijetuarve të dhunës seksuale

7 Tetor, 2020 - 2:06 pm

Si përpjekje për të luftuar me të kaluarën, të mbijetuarat e dhunës seksuale do të shfaqen para audiencës me një ekspozitë virtuale ku do të shpalosin punimet e tyre artistike, shkruan KultPlus.

“Më njih përtej fjalëve!” titullohet ekspozita e cila vjen me rastin e shënimit të 21 vjetorit të themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Kjo ekspozitë virtuale do të shfaqë punime/produkte që këto kategori të ndjeshme shoqërore i kanë punuar gjatë aktiviteteve psiko-terapeutike. Shumë nga këto punime janë gërshetim i artit me ngjarje e histori traumatike të ndrydhura thellë në nën-vetëdijen e autorëve.

“Modaliteti virtual i kësaj ekspozite, na ka mundësuar që këto punime të ekspozohen nga vendi ku janë punuar, në të cilin njëherësh mbahen edhe aktivitete të ndryshme psiko-sociale, duke e bërë këtë ekspozitë unike dhe origjinale”, thuhet në njoftim.

Kështu, publiku do të ketë rastin që virtualisht ta sheh bukurinë e artit dhe dhimbjen e historisë së tyre.

Ekspozita hapet më datë 13 dhjetor në ora 12:00. /KultPlus.com

Të ngjajshme