Mes modernes dhe thjeshtësisë, Drenusha Xharra mahnitë me koleksionin e ri (FOTO)

12 Nëntor, 2018 - 7:25 pm

Jeta Zymberi

Në një vend ku dizajnerët janë të shumtë dhe çdo ditë në rritje, është pak më e vështirë të depërtosh e ende më e vështirë të unifikohesh dhe të marrësh titullin prej më të mirëve. Por, kjo mund edhe të mos jetë kaq e vështirë kur puna, përkushtimi dhe talenti bëhen bashkë, shkruan KultPlus.

Këto cilësi të cilat mund t’i gjesh tek dizajnerja Drenusha Xharra, kanë bërë që ajo tashmë të jetë një ndër dizajneret më të mira në vend.

Unike në stilin e saj të krijimit, moderne dhe e veçantë, Xharra po vazhdon të befasojë me punën e saj të mrekullueshme.

Kësaj radhe ajo ka sjellë një koleksion “të bardhë”. Janë fustanet e nusërisë ata të cilët Xharra i shpalosi kësaj radhe për të mahnitur publikun.

Të bukur, modernë, më të thjeshtë dhe më të veçantë se që jemi mësuar t’i shohim zakonisht, ata vijë plot shije nga duart e disenjatores Xharra e cila tashmë ka arritur të jetë shumë e pëlqyer.

“Kurrë nuk është mjaftueshëm, dëshira e pangopur me arrit më shumë në karrierë dhe sidomos kur pëlqehen nga njerëzit, të jep vullnet dhe kënaqësi të punosh më shumë”, ka thënë disenjatorja Xharra për KultPlus.

Ajo ka pohuar së inspirimin për gjithë këtë punë ajo e merr nga gjithçka e bukur që e rrethon, por sidomos nga energjia pozitive e njerëzve.

“Ka ditë që ke designer Block por ajo mënjanohet pas një kohe kur bën një pauzë të shkurtër, të largohesh pak nga ambienti i punës të udhëtosh diku larg vendlindjes dhe të njoftohesh me njerëz të rinjë dhe kulturën e tyre që e kanë”, ka thënë tutje ajo.

Ndërsa rreth këtij koleksioni ajo ka treguar që fustanet e nusërisë janë në stilin Boho.

“Fustanet e nusërisë që unë i dizajnoj janë stil Boho, më të thjeshtë dhe modern, me materiale më të sofistikuara. Mëngët e ekzagjeruar që një vit janë kthyer në mode dhe gjithmonë kam pas dëshirë me e dizajnu një fustan më të tilla mëngë”, shprehet Xharra.

Këtë koleksion ajo nuk e ka emërtuar me një emër, kjo pasiqë është duke e sjellë linjën vetëm me fustane të nusërisë ku do të hapë edhe një dyqan të veçantë për ta.

Fotografitë e këtij koleksioni i ka realizuar fotografi Shenoll Zehri. /KultPlus.com

Të ngjajshme