займ на карту онлайн потребительский кредит

Mësohen finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes”

Tetor 5, 2019 - 9:02 am

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të shpallë vendimin e jurisë për finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019, e përbërë nga Charles Esche, drejtor i Van Abbemuseum, Eindhoven, Qëndresë Deda, artiste, fituese e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2018, Adam Kleinman, kurator i pavarur dhe shkrimtar, si dhe kurator rajonal për Amerikën Veriore në Fondacionin Kadist Art, Sezgin Boynik, teoreticient dhe redaktor, Jelena Vesiq, kuratore, shkrimtare, redaktore dhe ligjëruese, ka zgjedhur tre finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019.

Juria ka lëshuar këtë deklaratë:

Juria e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 ishte e lumtur që shqyrtoi 16 aplikimet e pranuara nga artistët nga Kosova. Për ne anëtarët e jurisë qe kanë qenë pjesë e jurisë edhe në edicionin e kaluar, ishte inkurajuese të shihet një gamë më e gjerë të mediumeve dhe tematikave te shqyrtuara dhe një profesionalizëm edhe më të madh në shumë prej aplikacioneve. Duket se praktika kritike artistike në Kosovë po zhvillohet mirë dhe shpresojmë që çmimi “Artistët e së nesërmes” të vazhdojë të kontribuojë në një të ardhme ngazëlluese për artistët e vendit.

Juria është shumë e kënaqur të shpallë që finalistët e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë: Somer Şpat, Edona Kryeziu dhe Dion Zeqiri.

Somer Şpat është përzgjedhur në listën e ngushtë për projektin e tij të jashtëzakonshëm në lidhje me ngritjen dhe rënien e industrisë hekurudhore në Kosovë. Puna e tij tregon përpjekjet kolektive të modernizimit në periudhën Jugosllave dhe kontrastin me tranzicionin shoqëror dhe strukturat e progresit industrial dhe si mbetjet e tyre që gjenden të përfshira në jetën e përditshme kosovare, në mënyra të mrekullueshme.

Edona Kryeziu është një artiste e re që eksploron pasojat personale dhe emocionale të diasporës kosovare dhe përvojën e rritjes larg kulturës familjare. Puna e saj sjell në pah një realitet të përbashkët kosovar me ambivalencë dhe humor, gjithnjë e vetëdijshme për natyrën e ngarkuar të migrimit.

Dion Zeqiri për herë të dytë është përzgjedhur si finalist në çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019 për punën e tij të mençur në skulpturë që shfaq si njohuri për materialet ashtu edhe një lexim të sofistikuar të mundësive të tyre simbolike dhe metaforike.

Juria është e kënaqur me përzgjedhjen dhe mezi pret ekspozitën përmbyllëse të çmimit në dhjetor.

Fituesi i çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të shpallet me 6 dhjetor 2019 në Klubin e Boksit në Prishtinë, në mbylljen e ekspozitës së finalistëve të “Artistët e së nesërmes” 2019.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë falënderon të gjithë artistët që kanë aplikuar për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019, për punën e tyre të vazhdueshme dhe bashkëpunimin./KultPlus.com

Të ngjajshme