Mjeshtrat e mëdhenj botëror të akuarelit ekspozitë dhe demonstrime në Tiranë

20 Maj, 2018 - 7:00 pm

Shqipëria bëhet mikpritësja e eventit më të madh të akuarelit, ku artistë të njohur nga e gjithë bota do të shfaqin punimet e tyre për publikun shqiptar. Të gjithë flasin dhe sjellin kultura të ndryshme, por është akuareli dhe Shqipëria që po i bashkon.

Më 21 maj të gjithë artdashësit do të kenë mundësi që të ndjekin pa pagesë demostrimet live të mjeshtrave të mëdhenj botëror të akuarelit, në sallën e koncerteve pranë Universitetit të Arteve, ku mjeshtra si Alvaro Kastagnet (Uruguay), Atanur Dogan (Canada), Amit Kapoor (India), Hong Shan (China), Prafull Sawant (India), Krasi Todorov (Bulgaria) pritet që të sjellin sërish shijen e hollë artistike të artit të vërtetë.

Ekspozitës së mjeshtrave të mëdhenj ndërkombëtarë që do të hapet në orën 19:00 në galerinë FAB, do t’i bashkohen edhe profesorët të Akademisë së Arteve.

Workshopet e akuarelit janë të njohura në mbarë botën për kontributin që japin në sensibilizimin e të gjithë brezave, të cilët e kanë më të lehtë përfshirjen në pikturë.

Krijimi i një komunikimi të përbashkët , shkëmbimi i eksperiencave, pritet që t’i japë një shtysë pozitive akuarelit në Shqipëri, shkruan ATA.

Pas ekspozitës në Tiranë, artistët do të pikturojnë live vende si Berati, Ura Vajgurore, Vlora, Himara dhe Saranda. Në fund të këtij udhëtimi, artistët do të ekspozojnë punët e tyre në Galerinë e Qytetit të Sarandë, ku do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët dhe që padyshim nuk duhet humbur.

Të ngjajshme