Mona Lisa e Da Vinçit “sulmohet” me tortë nga një burrë i veshur si plakë në karrocë (FOTO)

30 Maj, 2022 - 7:16 pm

Të dielën e 29 majit, një person ndoti kasën e xhamit që mbron Mona Lisa-n e Leonardo da Vinçit – me tortë.

Piktura më e famshme në botë është e ekspozuar në Muzeun e Luvrit në Paris.

Pamjet dhe videot që kanë qarkulluar në rrjetet sociale nuk tregojnë momentin në të cilin personi lyen pikturën, por vetëm xhamin që e mbron atë të njollosur tashmë me krem ​​të bardhë dhe një nga gardianët i cili tenton ta pastrojë.

Sipas dëshmive të vizitorëve që ndodheshin aty, personi i është afruar pikturës me karrocë dhe me paruke në kokë.

Një nga video-t e tregon atë duke qëndruar teksa po largohet dhe i bërtet turmës që “mendoni për Tokën”, “kjo është arsyeja pse e bëra, mendoni për planetin”.

Mona Lisa ka tërhequr gjithmonë sulme të këtij lloji, ndoshta për shkak të famës së saj mbarë botërore.

Në vitin 2009, një grua i hodhi asaj një filxhan çaj dhe në atë rast piktura mbrohej nga kutia prej xhami.

Në vitin 1974, ndërsa ajo ishte e ekspozuar në Tokyo, një grua e lyente me një llak të kuq.

Në vitin 1956 pati edhe dy sulme të tjera, një me acid dhe një me gur. / KultPlus.com

TWITTER/@KLEVISL007/REUTERS

Të fundit

Të ngjajshme