Ndahen çmimet për Artet Pamore “Muslim Mulliqi”

8 Korrik, 2019 - 12:04 pm

Sot, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporti, u mbajt ceremonia e çmimeve vjetore për Arte Pamore ‘Muslim Mulliqi’, shkruan KultPlus.

Kabineti i Ministrisë së Kulturës, në krye me Kujtim Gashin, pas prezantimit të jurisë filloi me ndarjen e çmimeve. Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore iu nda profesorit të ndjerë, Agim Çavdarbasha, ndërsa çmimi për kontribut vjetor shkoi për Agim Salihun.

Ministri Kujtim Gashi, me rastin e ndarjes së çmimit për arte pamore Muslim Mulliqi  u shpreh që “Një falënderim i jashtëzakonshëm për jurinë, që ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe, në përzgjedhjen e tyre për ndarjen e çmimeve, që është më e qëlluara deri më tani, veçanërisht për çmimin për veprimtari jetësore, që iu është ndarë Agim Çavdarbashas”, që shtoi më tej se “është figura më e madhe në vendin tonë në artet pamore, dhe më plotë meritë i jepet ky çmim”.

Nga juria është thënë se, “ndarja e çmimit Muslim Mulliqi është vlerësuar përgjegjësi për të veçuar një prej shumë artistëve, të cilët e meritojnë këtë çmim, dhe në mes të shumë kandidatëve serioz, juria e përzgjedh piktorin e gjeneratës së parë, Agim Çavdarbashan. Dhe për çmimin vjetor, Juria ka vendosur për piktorin Agim Salihun, ku si artisti i gjeneratës së mesme, Agim Salihu vlerësohet si një ndër artistët më të rëndësishëm të artit pamor kosovar”.

Çmimin për vepër jetësore të skulptorit Agim Çavdarbasha e pranoi bashkëshortja e tij Sabahate Çavdarbsha, ku edhe u shpreh e gëzuar që më në fund një çmim i tillë e nderon veprën jetësore të Çavdarbashës, dhe bën thirrje që të vizitohet muzeu Çavdarbasha, për t’u parë puna e piktorit, dhe të i jepet vëmendja e merituar artit të tij.

Sabahate Çavdarbasha, përfaqësuesja e fondacionit Agim Çavdarbasha, në fjalën e saj për ndarjen e çmimit kombëtar për kontribut jetësor, u shpreh “Çavdarbasha nuk është një artist vetëm i përmasave tona, por që ka ndikim mbarë kombëtar dhe më gjerë. Besoj dhe shpresojë në bashkëpunimin mes Ministrisë së Kulturës dhe artistëve, ku si institucion do ta kenë kujdesin e të gjithë artistët dhe për trashëgiminë kulturore”.

Çmimi vjetor Muslim Mulliqi i takoj piktorit Agim Salihut, ku me këtë rast, u shpreh “ Çmimi ka një vlerë shumë të madhe për mua, për vetë faktin që shteti e ndëron artistin, dhe në këtë nderim artisti ka emocion, dhe çdo sakrificë e tij, harrohet.”./KultPlus.com

Të ngjajshme